Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, në një intervistë për emisionin “Click Plus” në TV21, tha se gjendja e sigurisë në vend po përkeqësohet. Sipas informacioneve që ai ka marrë nga shërbimet e sigurisë, Federata Ruse po abuzon me protestat dhe janë hedhur disa dhjetëra persona nga vendet fqinje që po tentojnë të provokojnë incidente.
“Kemi disa dhjetëra persona që kanë ardhur nga shtetet fqinje dhe që po tentojnë të provokojnë incidente në protestë. Pra jo qytetarët tanë. Këto të dhëna janë të njohura për të gjitha organet kompetente”, tha Pendarovski, duke shtuar se në bashkëpunim me partnerët e NATO-s po bëhet gjithçka për të parandaluar përpjekje të tilla.
“Është e vështirë të besohet se një djalë 18-vjeçar e di se çfarë është koktej molotovi, si ta bëjë atë, kur ta hedhë”, tha Pendarovski.
Sipas presidentit, Maqedonia e Veriut aktualisht është nën sulme hibride të intensifikuara të ngjashme me nivelin e shtatorit 2018 kur u organizua referendumi për ndryshimin e emrit “dhe nuk ka të bëjë fare me njerëzit që protestojnë”.
“Më lejoni të sqaroj, palët e treta, pikërisht Federata Ruse, po abuzojnë me faktin që qytetarët protestojnë në mënyrë legjitime kundër propozimit francez”, shtoi ai.