8.6 C
Tetovo
E shtunë, 12 Prill, 2025
BallinaLajmePDK e LDK s’votojnë për kryeparlamentarin. Konstituimi i Kuvendit në rrezik pa...

PDK e LDK s’votojnë për kryeparlamentarin. Konstituimi i Kuvendit në rrezik pa e siguruar LVV-ja shumicën

Konstituimi i Kuvendit është i kushtëzuar nga zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve, porse lideri i Partisë Demokratike dhe ai i Lidhjes Demokratike kanë thënë se nuk do ta votojnë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit.Ligjvënësit e dy subjekteve kryesore që kanë qenë në opozitë përgjatë katër vjetëve, nuk do ta votojnë në seancën konstituive të Kuvendit kryeparlamentarin që e propozon Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, e edhe ai i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, pasi janë regjistruar të premten si deputetë, kanë thënë se në seancën e 15 prillit Vetëvendosja nuk duhet të llogarisë në votat e ligjvënësve të këtyre subjekteve.

“Pse me ja dhanë votat e PDK-së? Pse duhet ne t’jua votojmë kryetarin? Nuk e kemi votuar as në të kaluarën. Dy herët kryetari është votuar. Kryetari nuk është telashe për t’i bërë 61 vota? Unë veç shpresoj që do të këtë respektim së pari të vullnetit qytetar, të votës së qytetarit, Kushtetutës së Kosovës. Të martën partia e parë ta propozojë kryetarin e Kuvendit, kjo është me rëndësi të ndodhë. Në momentin që ndodh kjo, jam i bindur se nuk ka asnjë telashe për t’u bërë 61 vota”, ka thënë Krasniqi i PDK-së.

E Abdixhiku i LDK-së ka theksuar se qëndrimet e subjektit të tij nuk kanë ndryshuar.

“Një kryetar i Kuvendit që nuk i ka 61 vota për veti s’duhet të jetë kryetar i Kuvendit në radhë të parë fare. Minimalisht duhet t’i ketë 61 vota e më pas shihemi për gjëra të tjera”, ka thënë ai.

Nëpërmjet zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. As pas konsultimeve për koalicion, kjo parti nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën prej 61 deputetësh për ta bërë qeverinë, e pa të nuk mund ta votojë as kryeparlamentarin, pa zgjedhjen e të cilit nuk konsiderohet e konstituuar përbërja e re e Kuvendit.

Sipas interpretimit të bërë nga Gjykata Kushtetuese, nëse dështon që ta formojë Qeverinë partia që ka dalë e para në zgjedhje, rasti për ta bërë këtë mund t’u jepet subjekteve të tjera.

Kryetari i PDK-së ka shprehur bindjen se në rast se kësaj partie i jepet mundësia për ta propozuar mandatarin për formimin e qeverisë, atëherë do të sigurohen votat në Kuvend.

“Presidentja do të duhej, në rastin e dështimit të Kurti, si i pari në këto zgjedhje, të na ftojë ar neve për ta mandatuar. Ne e kemi të mandatuar, Bedri Hamzën. Jam i bindur që është përtej një figure partiake politike, një figurë e pranueshme edhe për partitë tjera politike dhe qytetarët në përgjithësi, pa dallim të votave që i kanë dhënë më 9 shkurt. Kishim arritur t’i vendosim interesat e vendit përtej interesave dhe kërkesave partiake që mund t’i kenë partitë”, ka deklaruar ai. “Ne kemi komunikim të vazhdueshëm me partitë opozitare dhe besoj që duke respektuar rendin kushtetues, hapat kushtetues, në momentin që një gjë e tillë do të merr edhe validitetin legal pas dështimit eventual të partisë së parë për ta themeluar qeverinë e re, ne shumë shpejt besoj do të jemi të gatshëm t’u ofrojmë qytetarëve dhe vendit një qeveri tjetër”.

E në LDK kanë shprehur qëndrimin se do të bëhet pjesë e qeverisë, vetëm në rast se asaj i jepet posti i kryeministrit.

Abdixhiku ka insistuar se qëndrimet e LDK-së vazhdojnë të jenë të njëjta.

“Proceduralisht e dini që më 15 prill bëhet betimi. Më pas bëhet propozimi i kryetarit të Kuvendit. Konstituohet Kuvendi pas zgjedhjes së kryetarit dhe të Kryesisë. E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë në këto zgjedhje që të provojë ta bëjë shumicën. Në qoftë se nuk e bën pas 15 ditëve, kushtetuta është shumë e qartë – i jep të drejtën secilës parti që e dëshmon para presidentes që mund të bëjë shumicën, ta bëjë një gjë të tillë. Nuk kemi mbërri në atë pikë, do të jep po aq transparent dhe konsistent para jush edhe për këtë çështje kur të mbërrijmë aty”, ka theksuar ai.

Me votat e marra në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka siguruar 24 ulëse në Kuvend, ndërsa LDK-ja 20. Ndërkaq, koalicioni midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka siguruar 8 mandate. Për ta bërë shumicën pa Lëvizjen Vetëvendosje, këtyre subjekteve politike u duhen së paku edhe 9 deputetë.

Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill. Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur synimin nëpërmjet një letre që para kësaj date ta takonte Abdixhikun, me qëllimin për të folur rreth mundësisë së një koalicioni, por kryetari i LDK-së e ka refuzuar ftesën.

Teksa kanë mbetur edhe katër ditë deri në mbajtjen e seancës, LVV-ja ende nuk ka siguruar koalicion që do t’ia garantonte shumicën parlamentare të nevojshme për ta zgjedhur qeverinë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments