Ky është lokacioni i ri ku duhet të rindërtohet përmendorja e Andon Lazovit – Qoseto. Pasi përmendorja e vendosur në kompleksin e gjykatave u hoq në vitin 2018, tani këtu është vendosur tabelë që thotë se ky është vendi ku do të ndërtohet monument i ri.
Iniciativa që figura kontraverse historike Andon-Lazov Janev – Qoseto të marrë sërish monument vjen me kërkesë të kryetares së qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, kësaj radhe në lokacionin e ri ndërmjet bulevardit “Aleksandar Makedonski” dhe “Bellasica”. Vitin e kaluar, iniciativa u votua nga këshilltarët në Qytetin e Shkupit. Megjithatë, në vendimin e Këshillit për ndërtimin e një monumenti të ri, nuk theksohet se sa do të kushtojë ndërtimi i tij.
Me atë rast, me 23 vota “pro”, tre “kundër” dhe 7 “abstenime”, Këshilli mori vendim për ringritjen e monumentit të Qosetos në kryeqytet, pasi ai u hoq gjashtë vite më parë gjatë mandatit të kryetarit të atëhershëm Petre Shilegov, me arsyetimin se është ndërtim pa leje. Biografia e Qosetos ka qenë gjithmonë objekt polemikash dhe debatesh të ndryshme në opinion, me emrin e të cilit lidhen likuidime të shumta në VMRO-në historike, ndaj disa e konsiderojnë hero, e për të tjerët është vrasës gjakftohtë.
Monumenti i parë i Qosetos përballë kompleksit të gjykatës u vendos në natën ndërmjet 6 dhe 7 shtator 2014, si pjesë e projektit “Shkupi 2014”, dhe u raportua si donacion nga Shoqata për Bashkimin Shpirtëror të Setincëve, Popadincëve dhe Krushoradëve nga Lerini. Asnjë prej autoriteteve të mëparshme dhe as donatorëve të tij nuk doli me shpjegim pse monumenti i Qosetos në atë formë dhe me thikë në dorë u vendos pikërisht përballë Gjykatës Supreme dhe cila është simbolika e këtij akti.
Ministria e Kulturës më pas konstatoi shkelje të shumta ligjore gjatë vendosjes së monumentit, përfshirë shkeljet në Ligjin për vendosjen e monumenteve. PSP -ja e atëhershme hapi hetim edhe për të gjitha monumentet që ishin ngritur si donacion nga e njëjta shoqatë. Kjo shoqatë, gjatë qeverisjes së asaj kohe të VMRO-DPMNE-së, dhuroi edhe katër monumente të tjera në Shkup, si ato të gjeneralit Mihajlo Apostolski dhe revolucionarëve Pere Toshev, Gjorgi Sugarev dhe Nikola Rusinski
Opinioni nuk e mori vesh asnjëherë se ku siguroi fondet kjo shoqatë për ndërtimin e monumenteve.