Dhënia e shtetësisë maqedonase një oligarku ukrainas me emrin Oleksandr Onyshenko, pjesë e listës së zezë të SHBA-së dhe i përfshirë në afera korrupsioni në Ukrainë, po shkakton debat të madh në Maqedoninë e Veriut.
Popullata, opozita, mediat por kërkojnë përgjigje se si një person me një dosje të tillë ka arritur të kalojë filtrat e sigurisë kombëtare të vendit që janë parakusht për dhënien e shtetësisë.
“Kryetari i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Viktor Dimovski deri tani ka zgjedhur të heshtë. Ai është ftuar të premten në seancën e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punës së Agjencisë për të raportuar se mbi çfarë baze ka dhënë mendim pozitiv për Onyshenkon”- thotë Ferikan Iljazi Arifi.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski nënshkrimi i të cilit qëndron në vendimin për dhënien e shtetësisë, tha të dielën se Qeveria maqedonase do të kërkojë nga institucionet llogari ditëve në vazhdim.
Eksperti i sigurisë Bashkim Selmani frikësohet se ky rast është dëshmi për elementë pro ruse brenda institucioneve të Maqedonisë së Veriut.
“Kjo rast hedh dilema për ndikime ruse në Maqedoninë e Veriut. Dhënia e shtetësisë oligarkut, pa një hulumtim paraprak mbi të kaluarën e tij të dyshuar, konfirmon mundësinë që brenda institucioneve të Maqedonisë së Veriut mund të ketë elementë por ruse që cenon imazhin e saj dhe ndikon në humbjen e besueshmërisë nga aleatët e saj”- shprehet Bashkim Selmani, ekspert sigurie.