21.9 C
Tetovo
E enjte, 5 Qershor, 2025
BallinaLajmePasaporta për Jahoskin, Toshkovski: MPB-ja ka vepruar në përputhje me vendimin gjyqësor

Pasaporta për Jahoskin, Toshkovski: MPB-ja ka vepruar në përputhje me vendimin gjyqësor

Lëshimi i pasaportës me procedurë të përshpejtuar për pronarin e “Pucko Petrol”, Asmir Jahoski, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, është bërë me urdhër të gjykatës kompetente, këtë e deklaroi sot kreu i policisë, Pançe Toshkovski, duke ia hedhur përgjegjësinë Gjykatës së Apelit, e cila mori vendim që Jahoskit t’i kthehet përkohësisht pasaporta. Opinioni reagoi pse Jahoskit, i cili është i dyshuar në rastin për furnizime të dyshimta me mazut për TEC Negotinë, iu kthye pasaporta, ndërsa Toshkovski thotë se për këtë çështje duhet të përgjigjet gjykata.

“Mendoj se thelbi i çështjes në këtë rast duhet të jetë se si është marrë vendimi nga gjykata që të kthehet dokumenti përkatës, e jo pse MPB-ja ka vepruar në përputhje me vendimin e gjykatës. MPB-ja nuk mund të veprojë ndryshe, as tani, as më herët, e as në të ardhmen nuk do të veprojmë në kundërshtim me vendim të prokurorit publik apo me vendim të marrë nga ndonjë gjykatë kompetente”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Nga Apeli u arsyetuan se Asmir Jahoskit i është lëshuar pasaportë e përkohshme në bazë të propozimit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe mbi bazën e mendimit të Prokurorisë së Lartë Publike që të pranohet ankesa e të akuzuarit dhe t’i lëshohet dokument udhëtimi i përkohshëm. Opinioni mësoi se Jahoski posedon pasaportë të përkohshme pasi një i afërm i tij publikoi në rrjetet sociale fotografi të Jahoskit në Stamboll, gjatë një feste për diplomimin e një anëtari të familjes së tij. Nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, kritikuan ashpër gjykatën për vendimin për t’ia kthyer pasaportën dhe kërkuan që gjykatësi që ka marrë vendimin të shkarkohet. Jahoski doli nga paraburgimi me garanci prej 2 milionë eurosh. Pronari i “Pucko Petrol” është i dyshuar në rastin e furnizimit me mazut me prejardhje të dyshimtë për nevojat e TEC Negotinë, ku dëmi i vlerësuar për buxhetin kap shumën prej 167 milionë eurosh. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments