Kryetari i Qeverisë, Hristian Mickoski deklaroi sonte se askush nuk duhet të ketë dilemë në harmonizimin tonë me politikën e jashtme dhe të mbrojtjes me Bashkimin Evropian. Ne, tha Mickoski në konferencë për media në Qeveri, gjithnjë do të harmonizohemi me BE-në, por qëndruam pas rezolutës për Ukrainën me partnerin tonë strategjik SHBA-në.
Çështja e harmonizimit të Maqedonisë së Veriut me atë të BE-së u hap në publik pasi ishte bërë e ditur se vendi ishte bashkësponsor i Rezolutës së SHBA-së në KB për Ukrainën.
“Ne qëndruam me partnerin tonë strategjik që është SHBA-ja, ndërsa kjo nuk ishte rezolutë e BE-së, sepse bashkësponsor i rezolutës së SHBA-së është edhe një shtet anëtar i BE-së, që është Hungaria, kështu që nuk mund të flitet për politikë të jashtme të harmonizuar të BE-së. Qëndrimi ynë kur bëhet fjalë për politikë të jashtme të harmonizuar të BE-së, nuk duhet të ketë dyshim se ne do të jemi gjithmonë aty sepse e kemi harmonizuar politikën tonë të jashtme dhe të mbrojtjes së bashku me Bashkimin Evropian, por në këtë rast nuk ishte kështu. Ne qëndruam pas rezolutës dhe ishim bashkësponzor të rezolutës amerikane, e cila është e vetmja rezolutë e miratuar nga Këshilli i Sigurisë, që do të thotë se është e aplikueshme”, tha sonte Mickoski, duke paralajmëruar investim të ri në energjetikë.