Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka reaguar pas propozimit të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca për shkarkimin nga misionet diplomatike të shatë ambasadorëve.
Çiatku përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se “nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës”
Postimi i plotë:
Përshëndetje nga Washingtoni,
Para pak orësh, në të njejtën kohë me publikimin e lajmit në Facebook, kam pranuar në email njoftimin për kërkesën përmes së cilës Ministri i Punëve të Jashtme Z.Glauk Konjufca ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës largimin tim nga detyra si Ambasadore e Republikës së Kosovës në SHBA.
Sigurisht, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emëroj dhe shkarkoj Ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar.
Megjithatë, besoj se e kam merituar një konsultim paraprak lidhur me propozimin në fjalë.
Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës.
Në këtë periudhë tranzitore do të mundohem të përmbushë të gjitha detyrat me përgjegjësi, ashtu siç kam bërë çdo herë.
Shpresoj që Institucionet e Republikës së Kosovës të dakordohen shpejtë për pasuesen/pasuesin tim.
Ambasadores/Ambasadorit që do vije pas meje, do t’ia ofrojë bashkëpunimin tim të plotë dhe pakursyer.
Kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë që me nder dhe përgjegjësi t’iu shërbej tre Kryeministrave dhe dy Presidentëve.
Në SHBA e kam përfaqësuar Kosovën siç kam ditur më së miri.
Frymëzimi im gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten qytetarët e Kosovës, të cilët i kam përfaqësuar në Washington. Mesazhi im në kryeqytetin Amerikan ka qenë pikërisht jehona e historive të tyre të rimëkëmbjes.
Nuk ka Ambasador të përjetshëm. E përjetshme është vetëm Kosova dhe shërbimi për të.