Pas ardhjes së Agim Nuhiut në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në përputhje me dispozitat ekzistuese ligjore për funksionimin e qeverisë teknike, prej të hënën përsëri janë kthyer në pozita të vjetra udhëheqëse 14 persona në aq njësi organizative në MPB të cilët qenë në këto pozita edhe para formimit të qeverisë teknike, njofton Portalb.mk.
Siç ka informuar MPB, në pozita udhëheqëse janë kthyer Toni Jakimovski, shef i SPB Shkup në Byronë për Siguri Publike, Sasho Smileski shef i SPB Ohër në BSP, Marjan Kocev shef i SPB Shtip në BSP, Sllavko Jovanovski shef i SPB Manastir në BSP, Igor Karavilovski shef i SPB Prilep në SPB Manastir në BSP si dhe Zllate Janevski në SPB Veles në BSP dhe Tanço Projkovski shef i SPB Strumicë në BSP.
Në kumtesën e MPB-së theksohet se në funksionet e vjetra udhëheqëse kthehen edhe Stojançe Veliçkoviq, shef i SPB Kumanovë në BSP, Dejan Andonov, ndihmës i ministrit në Departamentin për kontroll të brendshëm, kriminalistikë dhe hetime e standarde profesionale, pastaj Branko Trajanovski shef i Departamentit për operacione speciale policore në BSP, Mitko Danevski komandant i Njësisë për operacione speciale në BSP, Llazo Vellkovski shef i Sektorit për luftimin e krimit serioz dhe të organizuar në BSP si dhe Primisllav Dimovski shef i Njësisë për policisë intervente në SPB Shkup në BSP dhe Marjan Zdravkovski, ndihmës i ministrit në Departamentin për informatikë dhe telekomunikime.