Përplasja e opozitës me pushtetin në Maqedoninë e Veriut tash është bartur te një çështje tjetër.
Arbër Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar duke thënë se Qeveria monoetnike nuk ka legjitimitet të organizojë përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Gjithashtu, edhe mjetet për shënimin e përvjetorit për Marrëveshjen e Ohrit, Stoilkoviqi dhe kjo Qeveri monoetnike i ka zvogëluar, siç i ka zvogëluar për shënimin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, ka shkruar Arbër Ademi.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001.
Në prag të përvjetorit të marrëveshjes së Ohrit, partitë në pushtet thotë se ajo datë nuk duhet të privatizohet, ndërkaq opozita qeverinë e quan monoetnike dhe e akuzon për zvogëlim fondesh për shënimin e këtij përvjetori.
Koalicioni VLEN ka akuzuar BDI-në se po tenton ta privatizojë datën e 13 gushtit 2001, ditën e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit.
“Për mua si vajza e Imer Imerit njërit prej nënshkruesve të kësaj marrëveshjeje historike kjo paraqet shumë më tepër se një dokument politik, është trashëgimia e një brezi që luftoi për një të ardhme më të mirë dhe një shoqëri të përbashkët. Ndihem e indinjuar kur shoh që një datë e cila duhet të na bashkojë është duke u përdorur për interesa të ngushta partiake”, tha Saranda Imeri, deputete nga VLEN-i.
Imeri tha se pret që BDI-ja ta rishikojë vendimin dhe ta pranojë ftesën për të marrë pjesë në festën shtetërore të kësaj date të rëndësishme.