Ndërmarrja publike e Shkupit “Parqe dhe gjelbërim” nuk ka asnjë obligim që ta mirëmbajë oborrin e Qeverisë së Maqedonisë sepse nuk ka lidhur asnjë marrëveshje për këtë. Ky është sqarimi i djeshëm nga kjo ndërmarrje e qytetit pas konfliktit të kryeministrit teknik Talat Xhaferi me kryetaren e Shkupit Danela Arsovska për mosmirëmbajtjen e oborrit.
- Lidhur me pyetjen nëse NP “Parqe dhe Gjelbërim” ka lidhur marrëveshje me Qeverinë për mirëmbajtjen e oborrit të ndërtesës së Qeverisë, ju njoftojmë se kompania jonë nuk ka lidhur një marrëveshje të tillë me Qeverinë. NP “Parqe dhe gjelbërim” është përgjegjëse për mirëmbajtjen e gjelbërimit në parqet, bulevardet, rrugët grumbulluese dhe kryesore nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit, si dhe pyjet Vodno, Gazi baba, SRC Saraj dhe Matka. Pjesa tjetër e gjelbërimit në lagje dhe mes blloqeve është në juridiksionin e bashkive, ndërsa oborret në të gjitha institucionet janë përgjegjësi e vetë institucionit (qoftë spital, poliklinikë, agjenci shtetërore, ministri, qoftë edhe qeveria) . Në të gjitha këto institucione ka shërbime të përgjithshme që duhet të kujdesen për këto çështje, ose duhet të lidhin një marrëveshje me NP “Parqe dhe gjelbërim” për rregullimin apo mirëmbajtjen e oborreve të tyre, sipas së cilës marrëveshje do të vazhdonim më tej. Në këtë rast, kompania nuk ka lidhur një marrëveshje të tillë me Qeverinë, thuhet në njoftim.
Bashkangjitur është një dokument publik për të cilin oborri i Qeverisë duhet të mirëmbahet për 330.000 euro. Nga kjo shihet se më 27 korrik të vitit të kaluar, Shërbimi Qeveritar për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta ka lidhur Marrëveshje Kornizë me kompaninë Trista Group nga Shkupi, me vlefshmëri njëvjeçare. Marrëveshja është për blerje publike të shërbimeve për mirëmbajtjen dhe rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra në Qeverinë, objektet e banimit dhe organet e administratës shtetërore në vlerë prej 19.824.000 denarë.