Spanja mbetet një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në seancën e sotme të dhomës së ulët të parlamentit spanjoll, 293 deputetë votuan “kundër” nismës për njohjen e Kosovës, 25 ishin “pro” dhe 27 “abstenuan”.
Nisma u dorëzua nga grupi parlamentar i partisë katalanase Junts dhe u mbështet nga partitë baske. Kundër saj u shprehën deputetë të Partisë Popullore, të Partisë “Vox” dhe të Partisë Socialiste të Galicisë. Kundër votuan edhe deputetët e Partisë Socialiste në pushtet.