arlamenti Evropian (PE) sot në një rezolutë të miratuar mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian, e përsëriti thirrjen drejtuar Maqedonisë së Veriut për të përmbushur kushtin – të vendosur nga Bullgaria dhe të pranuar nga 26 shtete të tjera anëtare – për të përfshirë komunitetin bullgar në Kushtetutën e saj, siç u ra dakord në korrik 2022 me kornizën negociuese midis qeverisë së mëparshme dhe BE-së, shkruan Zhurnal.mk.
PE në tekst përsëriti “rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm me mirëbesim të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në përputhje me kornizën negociuese të BE-së”.
Rezoluta u miratua me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime.
Maqedonia e Veriut nuk ka hapur asnjë kapitull negociues deri më tani me BE, pasi që qeveria e Kryeministrit Hristijan Mickoski refuzon të përfshijë komunitetin bullgar në Kushtetutë pa u përmbushur njëkohësisht dy kundërkushtet e tij nga Bullgaria dhe BE.
Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE janë të vendosur dhe thonë se vendi nuk do ta përfshijë komunitetin bullgar në Kushtetutën e vendit nëse autoritetet bullgare nuk i pranojnë të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari dhe nëse Shkupi nuk merr garanci zyrtare nga Sofja dhe BE-ja mbi identitetin dhe gjuhën maqedonase, të cilat bullgarët refuzojnë t’i njohin.
“Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për sa kohë që unë jam Kryeministër, përveç nëse plotësohen të paktën dy kushte. Kushti i parë është që komuniteti maqedonas në Bullgari të marrë të drejtat e garantuara në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat dhe rezolutat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Unë nuk kërkoj që të ndryshohet Kushtetuta. Së dyti, derisa të marrim garanci për identitetin tonë maqedonas, për të cilin pres mbështetje nga ju si bashkëqytetarë të mi, për gjuhën time maqedonase, që të mos ketë më veto dypalëshe, që të mos ketë më nënçmime të reja, poshtërime të reja dhe pengesa të reja nga kushdo për arsye subjektive”, tha Hristijan Mickoski në Parlamentin vendor më 29 janar, shkruan Zhurnal.mk.
Mickoski dhe partia e tij kanë frikë se Bullgaria mund ta përdorë përsëri fuqinë e vetos në BE gjatë negociatave të anëtarësimit dhe të vendosë kushte që mund të lidhen me gjuhën maqedonase dhe identitetin, përveç kushtit për të bërë ndryshime kushtetuese për bashkësinë bullgare.
Për shkak të bllokimit, Maqedonisë së Veriut nuk po lejohet që të hapë kapitujt e negociatave me BE që nga viti 2022, dhe momentalisht nuk duket ndonjë përparim në horizont për arritjen e një kompromisi.
