0.8 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaParalajmërimi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes,Lloyd Austin: Dërgimi i trupave koreanoveriore në...

Paralajmërimi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes,Lloyd Austin: Dërgimi i trupave koreanoveriore në Rusi, përshkallëzim i rrezikshëm

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se përdorimi i trupave koreanoveriore nga Rusia për ta ndihmuar atë në luftën e saj kundër Ukrainës, është një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe destabilizues”.

Duke folur në një konferencë për media në Pentagon mbrëmjen e 30 tetorit përkrah homologut të vet nga Koreja e Jugut, Austin tha se mbi 10.000 ushtarë koreanoveriorë janë vendosur tashmë në Rusinë lindore.

Disa prej këtyre ushtarëve po zhvendosen në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, dhe janë të veshur në uniforma ruse dhe bartin pajisje ruse. Njësite të tjera nga Koreja e Veriut ndodhen tashmë në Kursk, sipas tij.

Ushtria e Ukrainës e kreu një inkursion të madh në Kursk gjatë gushtit dhe prej atëherë ka nën kontroll qindra kilometra katror territor atje.

Dërgimi e trupave koreanoveriore në Rusi jo vetëm që ka mundësi të zgjasë konfliktin, por gjithashtu mund t’i nxisë të tjerët të marrin masa.

“Ka një numër gjërash që mund të ndodhin”, tha Austin. Ai shtoi se “gjasat janë shumë të larta” që Rusia t’i përdorë trupat koreanoveriore në luftime.

Austin përsëriti se trupat koreanoveriore duhet të presin të jenë në shënjestër e ushtrisë ukrainase, e cila përdor armë të dhuruara nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, në fushëbetejë, dhe se disa prej tyre ka mundësi ta humbin jetën.

“Nëse ata luftojnë përkrah ushtarëve rusë, atëherë ata po bashkëluftojnë, dhe ne kemi çdo arsye të besojmë se ata do të vriten dhe do të plagosen si pasojë e kësaj”, tha Austin.

Shtetet e Bashkuara po e marrin situatën shumë seriozisht dhe i bëjnë thirrje Kremlinit ta ndryshojë kursin.

Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara tha në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork më 30 tetor se bashkëpunimi ushtarak i Rusisë me Korenë e Veriut nuk shkel ligjin ndërkombëtar dhe nuk është “i drejtuar kundër vendeve të treta”.

Vasily Nebenzya gjithashtu mohoi lajmet se trupat koreanoveriore janë të pranishme në vijën e parë të luftës.

Këto deklarata për ushtarët koreanoveriorë në frontin tonë nuk duhet të habisin askënd, sepse janë gënjeshtra të hapura“, tha Nebenzya, duke akuzuar Uashingtonin dhe Londrën për “dezinformim”.

Koreja e Jugut ka paralajmëruar se Pheniani do të merrte mësime të vlefshme nga trupat e tij dhe do të shihte luftën moderne duke ndihmuar Rusinë, dhe kjo do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Seulin.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, tha në një konferencë për shtyp me Austin se ai nuk beson se dislokimi do të shkaktojë luftë në Gadishullin Korean, por mund të rrisë kërcënimet e sigurisë pasi Koreja e Veriut me gjasë do të kërkojë teknologji ushtarake ruse në këmbim të dërgimit të trupave.

Kjo mund të përfshijë armë bërthamore taktike dhe teknologji për raketa balistike ndërkontinentale. Ndërkohë, diplomati i lartë i Koresë së Veriut mbërriti në Moskë për bisedime, që sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, mund të përfshijnë diskutime për dërgimin e trupave shtesë dhe se çfarë do të marrë Koreja e Veriut në këmbim.

Top Channel

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments