Mbanin të moshuarit në kushte të mizërie dhe u jepnin ushqim të skaduar. Madje i keqtrajtonin fizikisht dhe psiqikisht, ndonëse ishte streha e tyre e përkujdesit, për të cilët paguanin nga pensionet e tyre apo kursimet e familjes. Kjo situatë çoi në pranga dy pronaret e këtyre objekteve private – N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, pas kallëzimit penal të policisë, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.”“Një ditë pas aksionit, shtëpia private për kujdesin social të të moshuarve këtu ne Qendër është mbyllur. Dyshohet se në këto hapësira janë akomoduar 33 persona, ndonëse kapaciteti maksimal për 17 persona. Sipas prokurorisë, këtu janë përdorur maltretime fizike dhe tortura psikike ndaj të moshuarve dhe ata për momentin po hetohen nga prokuroria”, raporton Adi Qaili, gazetar i TV21.Nga MPB thonë se kanë siguruar prova që personat në fjalë, si pronare të shtëpive të të moshuarve, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale, me qëllim të përfitimeve personal, dhe se kanë dëmtuar rëndë të drejtat e banorëve të këtyre shtëpive.
“Gjatë kontrolleve në të dy institucionet – njëra në rrugën ‘Rudo’ në Butel dhe tjetra në rrugën ‘Kozara’ në Qendër të Shkupit – është konstatuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj banorëve, duke u shkaktuar atyre dhimbje fizike dhe vuajtje shpirtërore, dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit të ashpër, çnjerëzor dhe poshtërues”, tha Goce Andreev, zëdhënës i MPB-së.