Një grup i shtetasve të Bosnje e Hercegovinës, ka mbërritur në Kosovë përmes kufirit me Shqipërinë, në orët e para të 1 janarit 2025.
Ata kanë ardhur me një organizim të Bashkësisë shqiptare të BeH në koordinim me Qeverinë e Kosovës.Udhëtimi përfaqëson një akt simbolik solemn që hap kufijtë e Republikës së Kosovës dhe mirëpret vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Kosovës për heqjen e vizave dhe lejimin e hyrjes së qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës me letërnjoftim.
Dy muaj më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur se nga 1 janari 2025, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët me letërnjoftime të Bosnje e Hercegovinës.Për lëvizje të lirë – pa regjim vizash – në Ballkanin Perëndimor ishte rënë dakord gjatë një takimi të mbajtur në kuadër të procesit të Berlinit, në fund të vitit 2022.
Menjëherë në muajin shkurt të vitit 2023, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen.
Por njësoj nuk ndodhi edhe në Bosnje e Hercegovinë. Heqjen e vizave atje nuk po e lejojnë zyrtarët e entitetit serb të BeH, Republika Sërpska – deputetët e së cilës, në qershor të vitit të kaluar, e bllokuan marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime.
Sipas njoftimit të Bashkësisë shqiptare të BeH, udhëtarët që janë përfshirë në këtë udhëtim janë “intelektualë të shquar, ambasadorë, profesorë universitarë, akademikë, biznesmenë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe qytetarë të tjerë të shquar dhe anëtarë të Bashkësisë shqiptar në BeH, të cilët nuk kanë pasur mundësi të vizitojnë Republikën e Kosovës për më shumë se disa dekada“.