Pa marrë parasysh që është në arrati, edhe për Artan Grubin edhe për të dyshuarin tjetër, procedura vazhdon edhe më tutje dhe publiku do të njoftohet, deklaroi prokurori shtetëror publik Lupço Kocevski për mediat i pyetur nëse ka progres në hetimin për ish zëvendëskryeministrin, duke shtuar se edhe krahas urdhër-arrestit ndërkombëtar, prokurorët publikë edhe “më tutje ndërmarrin veprime lidhur me procedurën”, raporton MIA.
Kocevski para fillimit të mbledhjes së 14-të të Këshillit të Prokurorëve Publikë i pyetur nëse ka parahetim për gjykatësin Enver Bexheti, i vendosur në “listën e zezë” të SHBA-së, u përgjigj se “bashkë me atë lëndë që ka të bëjë edhe për gjykatësin, edhe për Artan Grubin, dhe eventualisht për kryerës tjetër, po zhvillohet procedurë parahetimore dhe më tutje do të shihet se si do të zhvillohet.
Njoftoi se nuk ka filluar hetim për vendosjen në sirtar të lëndës së ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov.
“Hetim jo, ende po punohet për parahetim, po grumbullohen dëshmitë dhe për atë lëndë publiku do të njoftohet, ndërsa për momentin për ato veprime që janë ndërmarrë nga ana jonë, publiku është njoftuar”, tha Kocevski.
Për hetimin financiar për rastin “Soravia”, u përgjigj se për Drin Ahmetin ka dy procedura – njëra zhvillohet në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar, ndërsa procedura tjetër në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup.
“Njëra procedurë është ndihmë juridike për ‘Soravia’, ndërsa procedura tjetër është për gërmimin e mineraleve natyrore”, tha Kocevski.
Artan Grubi kërkohet me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të kodit penal, e cila parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.
Në fund të vitit 2024, Artan Grubi së bashku me gjykatësin Enver Bexheti u futën në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin.
Drin Ahmeti, nipi i udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti, djali i vëllait të tij Fekri, vitin e kaluar u bë pronar i qendrës së biznesit “Soravia”. Dyshohet se ai ka fituar tenderë në kurriz të xhaxhait të tij, Ali Ahmeti, mirëpo Drin Ahmeti e ka mohuar lidhjen e liderit të BDI-së me biznesin e tij.
Policia e Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër, në korrik, ngriti kallëzim penal ndaj nipërve të Ali Ahmetit, përkatësisht Drin Ahmetit dhe vëllait të tij, nën dyshimet për përfitime të kundërligjshme gjatë shfrytëzimit të koncesionit në Zajaz.