Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbajtën konferencë për media, një ditë para protestës, siç u tha kundër padrejtësisë. Përfaqësuesit e OVL-së u bënë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këtë protestë.
Një ditë para protestës, të quajtur kundër padrejtësisë, organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e fundit, në mbështetje te ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, u mbajt konferencë, në të cilën u shpalosën përgatitjet e fundit.
“Kem komunikua me struktura tona me shumë qytetarë, kushdo që ka dëshirën të marrë pjesë në protestë me autobusë, kemi komunikua me parkingun Prishtina te Pallati i Rinisë, do të jetë i gatshëm me i prit autobusët”, tha Gazmend Syla, nënkryetar i OVL – UÇK-së.
Gjatë konferencës për media, përfaqësues të organizatës së veteranëve ftuan qytetarët që të marrin pjesë në këtë protestë, në mbështetje të krerëve të UÇK-së.
“Shfrytëzoj rastin me i ftua ata qytetarë që bashkëndjejnë me ne, bashkëndjejnë me ata bashkëluftëtarë që sot padrejtësisht po gjykohen në Hagë, me marrë nesër pjesë në këtë protestë, me dërgua një mesazh atje edhe te ta por edhe te bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët nuk janë vetë edhe ne do të jemi gati tu dalim në mbështetje sa herë që kërkohet nevoja”, tha Syla.
Protesta mbahet të enjten me fillim nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.