Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se demonstratat e vitit 1981, janë dëshmi e kohës nga përpjekja e hershme dhe këmbëngulëse për lirinë dhe Republikën e vendit.
“Demonstratat e vitit 1981, janë dëshmi e kohës nga përpjekja jonë e hershme dhe këmbëngulëse për lirinë dhe Republikën tonë. Pranvera studentore është nisma e kauzës sonë, është paralajmërim i hershëm i lirisë dhe moment kthese në rrjedhën e historisë sonë”, ka thënë ajo .
Presidentja Osmani përmes një komunikate ka thënë se demonstratat e nisura më 11 mars 1981 u pasuan edhe nga shumë protesta të tjera, por me synimin e njëjtë.
“Kosova u bë Republikë, ngase studentët e asaj kohe dëshmuan se janë forcë lëvizëse e proceseve dhe se e drejta për liri dhe shtet është e patjetërsueshme. Sakrifica dhe guximi i tyre 42-vite më parë, e trasuan rrugën për liri dhe për shtet.Në këtë përvjetor kujtojmë studentët e rënë dhe të gjithë të tjerët që u bënë bartës dhe realizues të idealeve kombëtare!”, theksoi ajo.