6.2 C
Tetovo
E shtunë, 7 Shkurt, 2026
BallinaLajmeOrganizata Shqiptaro-Amerikane: Federalizmi, rruga për barazi dhe stabilitet në Maqedoni

Organizata Shqiptaro-Amerikane: Federalizmi, rruga për barazi dhe stabilitet në Maqedoni

Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut vlerëson se federalizmi përbën një model të avancuar politik dhe administrativ, i cili mund të garantojë barazi reale ndërmjet komuniteteve dhe stabilitet afatgjatë të shtetit. Sipas kësaj organizate, federalizmi synon shpërndarjen e pushtetit ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes, duke krijuar balancë ndërmjet autoritetit qendror dhe autonomisë lokale, si dhe duke mundësuar përfaqësim më të drejtë në proceset vendimmarrëse, shkruan gazeta KOHA.

Në deklaratë theksohet se analizimi i modelit federal si alternativë funksionale për Maqedoninë e Veriut është i domosdoshëm, duke marrë parasysh përbërjen etnike të vendit, historinë e marrëdhënieve ndëretnike dhe sfidat e vazhdueshme të funksionimit demokratik. Sistemet federale, sipas organizatës, karakterizohen nga ndarja e kompetencave ndërmjet qeverisë qendrore dhe njësive përbërëse, të cilat gëzojnë autonomi të konsiderueshme, pa nënkuptuar domosdoshmërisht ndarje territoriale të ngurtë.

Një ndër mekanizmat më efikasë të këtij modeli konsiderohet përfaqësimi i komuniteteve në dhoma të veçanta legjislative me përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejt, çka siguron pjesëmarrje të barabartë dhe legjitimitet politik në vendimmarrje. Në këtë kontekst, organizata nënvizon se gjuha është element themelor i identitetit dhe se përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e organizimit shtetëror duhet të trajtohet si e drejtë themelore, jo si privilegj. Sipas tyre, njohja dhe respektimi i diversitetit gjuhësor dhe kulturor forcon ndjenjën e përkatësisë dhe kontribuon në konsolidimin e shtetit.

Deklarata thekson gjithashtu se thelbi i federalizmit qëndron në ndarjen efektive të pushtetit dhe zhvendosjen e vendimmarrjes në nivelet më të ulëta të qeverisjes, duke rritur përgjegjshmërinë, transparencën dhe duke shmangur autoritarizmin qendror. Për funksionimin e qëndrueshëm të sistemit propozohet ngritja e një strukture dydhomëshe me një Senat të barabartë, i cili do të kishte rol ndërmjetësues në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve qendrore.

Sipas organizatës, komuniteti maqedonas përballet me një zgjedhje thelbësore: vazhdimin e modelit aktual të qeverisjes, të shoqëruar me tensione identitare dhe politike, ose orientimin drejt një sistemi federal që do të garantonte barazi reale me komunitetin shqiptar dhe stabilitet afatgjatë. Në mbështetje të këtij argumenti përmendet fakti se mbi 40 për qind e popullsisë së botës jeton në shtete me forma të federalizmit politik, çka dëshmon se ky model përbën mekanizëm të qëndrueshëm për menaxhimin e diversitetit.

Në përfundim, Organizata Shqiptaro-Amerikane thekson se pranimi i barazisë së plotë të shqiptarëve është kusht themelor për funksionimin demokratik të Maqedonisë së Veriut. Refuzimi i këtij parimi, sipas tyre, do të thellonte problemet ekonomike, sociale dhe identitare, ndërsa reformat institucionale do të mundësonin stabilitet, zhvillim ekonomik dhe afrimin e vendit drejt integrimit evropian.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments