Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se çfarë është sekuestruar nga bastisjet e bëra në Çair, Haraçinë, Shuto Orizarë, Butel dhe Studeniçan, përcjell TV21. Toshkovski tha se bastisjet për shkatërrimin e grupit po vazhdojnë.
“Është shkatërruar grupi i organizuar kriminel prej 18 personave, që përbëhej nga persona nga Shkupi, që një kohë të gjatë kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale të krimit serioz të dhunshëm dhe tregtisë së paligjshme me armë. janë kryer bastisje te 24 persona, në gjithsej 30 lokacione, prej të cilave 28 në rajonin e Shkupit dhe 2 në rajonin e Velesit. Pas bastisjeve, për momentin janë gjetur armë zjarri, mjete lidhur me të njëjtat, jelekë anti-plumb dhe deri tani janë gjetur përafërsisht, mbi 13 milionë denarë, në monedha të ndryshme. Tek të dyshuarit janë marrë 5 automjete, stoli, sasi më e madhe e arit. 9 telefonë, 5 sim kartela, mbajtëse për të njëjtat, orë dore 12, resiverë, etj…që janë marrë dhe do të jenë objekt i ekspertizës”, theksoi Toshkovski