Kryeministri hungarez Viktor Orban i kërkoi të martën presidentit serb Aleksandar Vuçiç t’i lirojë tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi që nga 14 qershori.
Kryeministri Orban iu bashkua të martën thirrjeve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për lirimin e policëve.
“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë dhe mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha kryeministri Orban në një konferencë me gazetarë në qytetin e Suboticës në Serbinë veriore, pas një takimi ndërmjet qeverive të të dyja vendeve.
Por, presidenti serb nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm të dëgjojë thirrjet perëndimore, duke theksuar se “çështja u takon organeve të drejtësisë”. Të tre policëve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Që nga mbrëmë në vendkalimet që lidhin Kosovën me Serbinë, Merdar dhe Jarinjë, autobusët dhe kamionët nga Kosova nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë, nga grupe qytetarësh serbë. Ata janë hedhur në protestë në shenjë revolte ndaj vendimit të javës së kaluar të Prishtinës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në Kosovë, pas arrestimit të tre policëve.
Arrestimi tyre shtoi tensionet edhe ashtu të larta mes Kosovës dhe Serbisë, duke nxitur shqetësimet për ripërtëritjen e konflikteve në rajon.