Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se vendi i tij do që Bashkimi Evropian (BE) ta bindë Ukrainën që të rilejojë transitin e gazit nga Rusia në Evropë, duke sinjalizuar një debat të ashpër teksa BE-ja kërkon të vazhdojë sanksionet e saj kundër Rusisë gjatë javës së ardhshme.
Ndërsa BE-ja po përgatitet të rikthejë sanksionet ndaj Moskës për luftën e saj në Ukrainë në javën e ardhshme – gjë që kërkon pajtim midis të gjithë liderëve të bllokut 27-anëtarësh – Hungaria ka sinjalizuar se mund të përdorë veton për t’i bllokuar dënimet.
Orban, qeveria e të cilit ka mbajtur marrëdhënie më të ngushta ekonomike dhe politike me Moskën sesa vendet e tjera të BE-së, përsëriti kritikat e tij ndaj sanksioneve të premten, duke thënë se ato i shkaktuan 19 miliardë euro dëm financiar Hungarisë. Orban nuk ka treguar se si është llogaritur ky numër, raporton Reuters.
“Tani çështja e sanksioneve është në rendin e ditës dhe unë u kam kërkuar liderëve të BE-së të kuptojnë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu”, ka theksuar Orban për radion shtetërore.
“Nuk është mirë që ne paguajmë çmimin e ndihmës për Ukrainën … kjo po na shkakton probleme”, ka deklaruar ai, duke iu referuar një lëvizjeje të fundit nga Ukraina për të ndalur rrjedhat e gazit rus në Evropë në tubacionin Druzhba.
“Ne u kërkojmë atyre të bindin Ukrainën që të rifillojë transitin e gazit”, tha Orban, duke shtuar se Budapesti kërkon gjithashtu garanci që Ukraina nuk do të ndalojë importet e naftës së papërpunuar ruse.
Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen të hënën e javës që vjen për të vendosur mbi ndryshimin e sanksioneve dhe ministri i jashtëm i Hungarisë ka sinjalizuar një debat të madh, duke thënë se Hungaria gjithashtu do të konsultohet me partnerët e saj amerikanë në ditët në vijim.