Viktor Orban tashmë ka edhe një tjetër të përbashkët me Vladimir Putinin, por edhe Sllobodan Millosheviçin: dekoratën më të lartë nga Republika Srpska e Bosnje-Hercegovinës. Lideri separatist Milorad Dodik i dorëzoi vetë çmimin nderues kryeministrit të Hungarisë, me këtë të fundit që nxori fjalë dashurie në drejtim të politikanit të sanksionuar nga Amerika.
Kaq mjaftoi për Orban që në mendjen e tij të zgjoheshin kujtimet për ish-Jugosllavinë dhe se si ishte jeta si serb: “Më kujtohet se si ishte të jesh serb në kohën e ish-Jugosllavisë dhe kur ishte më e zhvilluar se ne dhe i kam vëzhguar serbët kur Parlamenti hungarez votoi për njohjen e Bosnje-Hercegovinës. Unë e respektoj mënyrën se si serbët kërkojnë dhe gjejnë vendin e tyre në epokën moderne. Unë gjithmonë i kam mbështetur serbët sepse kam fituar bindjen se politika ndërkombëtare është e padrejtë ndaj tyre”.
Orban mbështeti kritikat në drejtim të përfaqësuesit ndërkombëtar për Bosnje e Hercegovinën duke e konsideruar provokues ligjin e ri zgjedhor, ndërsa Dodik kërcënoi edhe njëherë me ndarje territoriale. Kjo nuk e shqetësoi liderin hungarez që premtoi të ndihmonte në bashkimin e të ashtëquajturës “botë serbe” dhe favorizimin e tyre gjatë presidencës së Bashkimit Europian në korrik të këtij viti.
“Ne duhet të flasim dhe të mbledhim ata që e kuptojnë popullin serb, si në Srpska dhe në Serbi, nga 1 korriku do të marrim presidencën e BE-së, do të kemi ekip që do të merret me Bosnjën dhe Hercegovinën. Por, aktualisht mungon njohja se Europa ka nevojë për serbët. Pa ta nuk ka siguri europiane, nuk ka Bashkim Europian të unifikuar, nuk ka stabilitet”, tha Orban.
Përpara se të shkonte në Banja Llukë, kryeministri hungarez ndaloi dhe në Sarajevë, ku zhvilloi një takim të ftohtë me drejtuesen e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo. Aty tha se vendi i tij do të bëjë më të mirën për të përshpejtuar anëtarësimin e Bosnjes në BE./A2CNN