Pavarësisht ndalimit nga policia për vendin e tubimit, mbështetësit e opozitës u mblodhën përpara Ministrisë së Drejtësisë, për atë që e cilëson si grabitje të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Protestës iu bashkua edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili u kthye nga Brukseli në takimin që pati me partitë e djathta, të forumit të IDU-së.
“Pra, zgjedhjet në Shqipëri ishin farsa elektorale më e shëmtuar pas rënies së Perdes së Hekurt në Ballkan dhe Europë. Ndaj dhe u përshëndes ju dhe u garantoj se Edi Rama kurrë nuk do mund të qëndrojë në atë karrige me zgjedhje të vjedhura, me zgjedhje krimi, me zgjedhje të korrupsionit, por do marrë përgjigjen që meriton dhe që kanë diktator, çdo narkodiktator”.
Berisha pati edhe një koment edhe në lidhje me samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku e akuzoi Ramën se i priti liderët botërorë si një hajdut i zgjedhjeve.
“Edi Rama dëshmoi se është një kriminel, një monstër ndaj vullnetit të lirë të shqiptarëve. Kjo betejë do fitohet nga luftëtarët e lirisë. Rama nuk ka të ardhme, do përfundojë aty ku kanë përfunduar armiqtë e votës së lirë. Rama i priti liderët e BE-së si hajdut, si Toto Rina, i aftë për të shkelmuar çdo parim, për të qëndruar në pushtet, vetëm se e di që vendin e ka në burg dhe e di se atje do shkojë”.
Protesta u shpërnda e qetë dhe pa incidente, teksa opozita po përgatit provat dhe dokumentet mbi atë që e cilëson si vjedhje të zgjedhjeve të 11 Majit.
Tv Klan