linku
https://tv21.tv/opozita-kerkon-shkarkimin-e-bogoevskit-bdi-veting-per-te-gjith-funksionaret-publik/
16/05/2019 16:35
Fshesa në vend se të përdoret në Qeveri, ajo arriti në Kuvend. Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE kërkon shkarkimin e deputetit Pavle Bogoevskit. Sipas kësaj partie deputeti në fjalë nuk ka kredibilitet për të përfaqësuar qytetarët në shtëpinë ligjvënëse.
“Ai dje pranoi se nga posti i deputetit të kuvendit të RM-së, brenda disa muajve ka blerë dhe ka ndërmjetësuar në blerjen e lëndëve narkotike. Në qoftë se Bogoevski ishte i pastër dhe nuk ka konsumuar narkotikë, me siguri se dje publikisht do të bënte një narko-test. Bogoevski me blerjen e substancave të palejuara , madje po të ishte edhe gjysmë gramë për 2.500 denarë, ka kryer veprën penale – prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogërave narkotike, nga Neni 215 Paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër kjo për të cilën parashihet dënim nga 1 deri 10 vjet”, theksoi Dafina Stojanoska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Në lidhje me këtë çështje është prononcuar edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi. Nga kabineti i tij thonë se Kuvendi nuk ka bazë për të ndërmarrë procedurë kundër deputetit, Bogoevski dhe se institucionet kompetente do ta marrin rastin në duart e tyre. Por nga Partia Liberal-Demokratike, paralajmëruan se do të iniciojnë ligj për legalizimin e marihuanës, jo vetëm për përdorim mjekësor, por për përdorim të përgjithshëm.
“Ne jemi duke punuar në përpilimin e një ligji të ri, bashkë me Organizatën Joqeveritare “Bima” dhe duam që ky ligj të jetë gjithëpërfshirës. Ligjin e përgatisim tashmë e një kohë më të gjatë dhe shpresojmë se së shpejti do të jetë gati dhe do ta vendosim në seancë plenare”, u shpreh Julijana Nikollova, deputete e PLD-së.
Por deputeti i BDI-së kërkon veting për të gjithë funskionarët publik.
“T’ju them shumë sinqerisht jemi në përgatitje për një qasje të re në BDI për të cilën do të kërkojmë përkrahje nga e gjithë shoqëria, mediat, shoqëria civile, edhe nga partitë politike, e ajo është një proces vetingu për të gjithë, duke përfshirë edhe anëtarësinë e partisë politike nga e cila vij, edhe gjykatësit, edhe prokurorët, edhe deputetët, dhe të gjitha sferat e shoqërisë të cilat kryejnë shërbime publike”, deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Ndryshe në një profil anonim në rrjetet sociale, së fundmi është publikuar një video 40 sekondëshe ku deputeti Pavle Bogoevski dëgjohet se si porosit lëndë narkotike. Por deputeti distancohet dhe thotë se rastin do ta denoncojë tek autoritetet për përgjim të paligjshëm.
Përgatiti: Zimer Jashari