Daniel Server, njohës i Ballkanit nga Universiteti “Johns Hopkins”, ka bërë të ditur se ka marrë letrën nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, qëllimi i së cilës, siç thotë ai vetë, është të gjenerojë aksion nga SHBA-ja dhe BE-ja. Mirëpo, Server thekson se për problemet që Ahmeti thekson në letër duhet të vendosin qytetarët e Maqedonisë, e jo dikush nga jashtë, transmeton Portalb.mk.
Sa i përket Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Server thekson se për çështjen e gjuhës nuk ka dyshime dhe se Marrëveshja e Ohrit është e qartë për këtë çështje. Përkatësisht, Ahmeti në letër paralajmëron se Gjykata Kushtetuese planifikon të shfuqizojë dispozitat themelore të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin gjuha shqipe është shpallur gjuhë zyrtare sipas amendamentit 5 të Kushtetutës, dhe thekson se kjo paraqet një goditje serioze të Marrëveshjes së Ohrit, barazisë, harmonisë ndëretnike dhe stabilitetit në vend.
“Ai kërkon që çdo gjuhë e folur nga më shumë se 20 përqind e popullsisë të jetë zyrtare së bashku me maqedonishten. Nuk e kuptoj se si mund ta vësh në dyshim këtë detyrim pa krijuar më shumë probleme sesa tashmë veç ka Maqedonia e Veriut. Ishte një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së paqes të vitit 2001. Është e rëndësishme ta ruash atë”, nënvizon Server.
Sa i përket çështjes që ka të bëjë me heqjen e “balancuesit”, pra ndalimin e identifikimit të përkatësisë etnike të qytetarëve në institucionet shtetërore, e cila sipas Ahmetit cenon parimin e të drejtave kolektive të bashkësive etnike dhe prek thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, Serveri thekson se preferon një sistem nuk njeh ngjyra, gjegjësisht sistem të bazuar në merita. Megjithatë, thekson ai, mospërcaktimi i identifikimit etnik të punonjësve të qeverisë nuk do të pengojë punësimin në qeveri sipas vijave etnike.
“Emrat ju tregojnë se kush është shqiptar e kush maqedonas. Dyshoj se qëllimi i këtij propozimi është vazhdimi i dominimit aktual të maqedonasve në pozitat e larta qeveritare. Maqedonia duhet të diversifikojë të punësuarit në sektorin publik për të pasqyruar më plotësisht diversitetin e popullsisë. Unë nuk jam adhurues i kuotave. Por veprimi afirmativ me përparësi kualifikimeve është një proces që mund të prodhojë rezultate të arsyeshme. Shumë shqiptarë kanë një kualifikim që i mungon shumicës së maqedonasve: flasin të dyja gjuhët. Qeveria duhet ta marrë parasysh këtë kur punëson”, thotë Server.
Sa i përket çështjes së tretë që Ahmeti thekson në letër, parimin e përfaqësimit të drejtë në Qeveri, Server thekson se nuk është saktësuar plotësisht dhe thekson se është më shumë ankesë politike sesa vërejtje ligjore apo kushtetuese.
“Unë supozoj se i referohet pozitave që u janë dhënë shqiptarëve etnikë në qeverinë aktuale. Është më shumë një ankesë politike sesa ligjore apo kushtetuese. Një nga vërejtjet kryesore nga pala maqedonase për qeverisjen e kaluar ishte mbizotërimi i shqiptarëve në pozitat kyçe. Fituesit e zgjedhjeve të fundit u përpoqën të dobësonin praninë shqiptare sepse fituan zgjedhjet. Rivalët shqiptarë të BDI-së negociuan marrëveshjen aktuale të koalicionit. Nëse e kanë bërë keq, është çështje e zgjedhjeve të ardhshme. Diplomatët amerikanë dhe evropianë mund t’ia tregojnë kryeministrit, por në fakt nuk është çështje ndërkombëtare”, thotë Server në përgjigjen e tij ndaj letrës së Ahmetit dhe shton se mendimi i tij nuk bën dallim, gjegjësisht për pyetjet e ngritura nga Ahmeti duhet të vendosin qytetarët e Maqedonisë.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, u ka dërguar letra disa përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe krerëve të shteteve, të shqetësuar për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat, sipas tij, kërcënojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në vend.
Ahmeti, siç thuhet në komunikatën e BDI-së, thekson se tri vendimet e fundit – planet për shfuqizimin e dispozitave kyçe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimin e shumicës politike pa përfaqësim të drejtë të bashkësive etnike – paraqesin kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit në tërësi.
Ai bën thirrje për veprim të përbashkët të liderëve ndërkombëtarë për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.