Nxënësit e shkollave të mesme në Tetovë sot kanë bojkotuar mësimin për shkak të ndryshimit të orarit dhe pamundësisë për të qenë të lirë gjatë kohës së iftarit.
Në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” dhe Shkollën e Mesme Ekonomike, protestën në shenjë mbështetjeje për nxënësit e pasdites, e kanë mbajtur edhe ata që janë në paradite dhe nuk kanë mbajtur mësim pas orës së katërt. Nga Komuna e Tetovës thonë se nuk mund të bojkotohet mësimi dhe nuk mund të ndryshohet orari apo të shkurtohen orët mësimore. Sipas përgjegjësit të sektorit për arsim, shkollat do të duhet të përshtatin pushimin e gjatë dhe ta zgjatin atë për kohën e iftarit, duke siguruar që nxënësit të kenë kohë të mjaftueshme për të konsumuar ushqimin.
“Asesi nuk ka pasur ndonjë njoftim apo lajmërim zyrtar nga ana e themeluesit apo Komunës së Tetovës për shkurtimin e mësimeve apo rikthimin e orarit normal. Sipas nenit 27 të ligjit për mësimdhënie të mesëm, është përcaktuar se ora mësimore zgjat 45 minuta dhe themeluesi nuk mund të ndërmarrë një veprim të tillë për shkurtimin e orëve mësimore, pasi neni 23 i Ligjit për Arsimin e Mesëm përcakton se mund të ndërpriten dhe shkurtohen orët mësimore vetëm për shkak të fatkeqësive natyrore apo pandemive,” tha Nazmi Dauti, përgjegjës i sektorit për arsim në Komunën e Tetovës.
Shkollat e mesme kanë bërë adaptimin e orarit, në mënyrë që gjatë kohës së iftarit të mund të jetë i zgjatur pushimi i njohur brenda shkollave dhe asesi nuk duhet të ndërpritet procesi edukativo-arsimor, qoftë për arsye fetare, ashtu edhe për arsye ligjore. Kështu që nxënësit dhe prindërit, pasi kishin paralajmëruar bojkotin e procesit edukativo-arsimor, duhet të dinë se nuk mund të bojkotohet ai, pasi kjo është e papranueshme,” shtoi ai.Dauti theksoi se Inspektoriati Shtetëror i Arsimit nuk ka dalë me ndonjë prononcim në lidhje me këtë çështje, por Komuna e Tetovës ka informuar të gjitha drejtoritë e shkollave për të përshtatur pushimin e gjatë me kohën e iftarit, dhe nxënësit, pas kësaj, do të duhet të vazhdojnë mësimin deri në përfundim të orarit të plotë pa ndërprerje. /tvklan.mk