Nxënësit e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe në vitin shkollor 2022-2023 në vendin tonë, do të mësojnë me abetaren mbarëkombëtare, këtë e njoftoi ministri i arsimit Jeton Shaqiri, nëpërmjet rrjetit social facebook, duke theksuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë pëlqim për përdorimin e abetares së përbashkët.
JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë pëlqim për përdorimin e materialit të përpiluar nga autorët Mimoza Gjokutaj, Saranda Kumnova, Naser Zabeli dhe Tereza Babasuli, i cili është dedikuar për nxënësit e klasës së parë të regjistruar në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe”.
Shaqiri më tej shtoi se ministria e arsimit do të mbështesë çdo iniciativë në interes të nxënësve për arritjen e qëllimeve të caktuara.
JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT
“Si institucion përgjegjës që u përgjigjet nevojave në kohën e duhur për realizimin e pa ndërprerë dhe me cilësi të lartë të procesit arsimor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të mbështesë edhe në të ardhmen çdo iniciativë për përdorimin e materialeve didaktike që janë me interes për nxënësit dhe ndihmojnë në arritjen e qëllimeve të përcaktuara me plan-programet mësimore”.
Kjo abetare është përgatitur si rezultat i bashkëpunimit të Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Rreth 29 mijë fëmijë janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës këtë vit për të mësuar shkronjat me abetaren e re mbarëkombëtare./SHENJA/