-1.4 C
Tetovo
E premte, 27 Dhjetor, 2024
BallinaLajmeNPK Tetova, pa rroga dhe pa sigurim shëndetësor/ Këshilltarët e BDI-së akuzojnë...

NPK Tetova, pa rroga dhe pa sigurim shëndetësor/ Këshilltarët e BDI-së akuzojnë Kasamin, reagon komuna

Punëtorët e NPK Tetova vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre për mos marrjen e rrogave. Edhe pse u paguan për një muaj, ndërmarrja komunale ende i detyrohet punëtorëve tre muaj të tjera pagesë. Problemi më i madh është se ata nuk kanë asnjë lloj sigurimi shëndetësor, duke i lënë ata në një situatë delikate, pa mundësi për të marrë shërbime mjekësore kur janë të nevojshme.
“Kemi familje, kemi fëmijë, nuk kam sigurim shëndetësor, nuk ka as gruaja. Të shkosh në mjek duhet privat të paguash. Na dhanë një rrogë na bën qejfin që të paguajmë ndonjë rrymë apo send, por atë rrogë që e morëm na shkoi në rrymë dhe internet. Katër muaj kemi qenë minus, tash jemi tre. Për muajt 9, 10 dhe 11 nuk i kemi marr. Sigurim nuk kemi, unë duhet shkoj në mjek, kam problem me syrin, perden ta heq, nuk mund të shkoj se nuk kemi as sigurim as asgjë.”- deklaroi I punësuar në NPK-Tetova.

Reaguan edhe këshilltarët komunal të BDI-së në komunën e Tetovës. Ata kërkuan nga kryetari Bilall Kasami që ta merr më seriozitet këtë çështje. Këshilltari Veton Murati tha se para një viti komuna ndau 25 milionë denarë dhe askush nuk ka dhënë llogari ku kanë përfunduar ato mjete.
“Para një viti në seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal me kërkesë të udhëheqësisë së komunës iu ndanë 25 milionë denarë Ndërmarrjes Publike Komunale, me qëllim që punëtorëve të ju paguhen 3 pagat që ndërmarrja ua kishte borxh. Në atë seancë ne kërkuam dëshmi se këto mjete do shkojnë te punëtorët, por kryetari i komunës në mënyrë kategorike refuzoi që këto dëshmi t’i jepen Këshillit Komunal. Sot pas një viti punëtorët e NPK-së vazhdojnë të jenë të lënë në harresë dhe 3 muaj pa paga e pa sigurim shëndetësor, prandaj kërkojmë nga kryetari i komunës që në vend se të shëtitet nëpër Evropë, të dalë dhe të mbajë përgjegjësi.”- tha Veton Murati – këshilltar i BDI-së.

Nga komuna thonë se rritja e pagës minimale ka shkaktuar krizë edhe më të thellë në ndërmarrjen në fjalë.
“Mjetet prej 25 milionë denarë kanë përfunduar në xhirollogari të të punësuarve. Por problemet që janë mbledhur me vite të tëra nuk mund për një periudhë të shkurt t’i zgjidhim. Për shkak të rritjes së pagës në mënyrë lineare gjendja financiare në këtë ndërmarrje është vështirësuar. Ashtu si vitin e kaluar komuna e Tetovës do të ndihmoj financiarisht NPK-në”- deklaroi Besarta Ramadani – zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Para 6 ditëve të punësuarit e NPK Tetova protestuan për mos marrjen e rrogave me çka ndaluan së pastruari mbeturinat. Pas presionit, ndërmarrja u lëshoi një rrogë vetëm sa ata t’i kthehen punës dhe mbeturinat të hiqen nga rrugët e qytetit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments