Norvegjia dërgoi 76 automjete ushtarake në Maqedoni. Gjithsej 40 kamionë dhe 36 mjete të lehta këmbësorie janë ngarkuar dje nga porti i Orkangerit dhe do të transportohen me anije për në Selanik, njofton Ambasada norvegjeze.
Me donacionin e shpallur në shtator të vitit të kaluar, siç njoftuan nga Ambasada e Norvegjisë, do të pajiset një batalion i lehtë këmbësorie.
“Donacioni simbolizon rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit të NATO-s ndërmjet vendeve anëtare. Aftësia e aleancës për t’iu përgjigjur një krize ose konflikti varet nga forca dhe solidariteti i të gjitha vendeve anëtare, jo vetëm nga një komb. Më 4 prill të këtij viti, aleanca NATO mbush 75 vjet. Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s në vitin 2020 dhe Norvegjia ka qenë anëtare e NATO-s që nga formimi i aleancës në vitin 1949. Të dyja vendet kanë një histori të gjatë të bashkëpunimit dypalësh dhe me hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Aleancë në vitin 2020, bashkëpunimi është bërë edhe më i fortë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës norvegjeze.
Donacioni, siç thonë nga ambasada, është edhe donacion indirekt për Ukrainën, sepse Maqedonia më parë i ka dhuruar Ukrainës një sasi të konsiderueshme pajisjesh. “Me donacionin norvegjez, Maqedonia do të mund të plotësojë një pjesë të pajisjeve që u dhanë”, theksojnë nga ambasada e Norvegjisë.