Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. E njohës të ekonomisë deklarojnë se ky vendim do të ketë ndikim pozitiv në luftimin e ekonomisë joformale e zhvillimin ekonomik të vendit.
Të gjitha transaksionet bankare dhe jobankare nga 1 shkurti i këtij viti, qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë e financohen nga buxheti i Serbisë, do të duhet t’i bëjnë me valutën euro.
Një numër i madh i tyre deri më tani kanë marrë paga, pensione e shtesa tjera në monedhën zyrtare të Serbisë, e që është dinari, të cilin jashtëligjshëm e kanë qarkulluar në vend.
Përmes Bankës Popullore të Serbisë, deri më tani dinarët kanë arritur të hyjnë në Kosovë, e më pastaj të përdoren në zonat me shumicë serbe.
Por me rregulloren e re të BQK-së, theksohet se valutat tjera, përveç euros, do të mund të përdoren vetëm si vlerë që ruhet në formë fizike ose në llogaritë bankare të valutave që nuk janë euro.
Sipas njohësve të ekonomisë, sistemi i pagesave në Kosovë është i rregulluar, andaj të hyrat që janë me valuta tjera, përfshirë edhe dinarë, do të këmbehen nga bankat në euro.
Sipas tyre, kjo nuk do t’i dëmtojë qytetarët serbë, por që do të ndikojë pozitivisht në luftimin e ekonomisë joformale.
Përkundër insistimit të televizonit për të marrë një qëndrim nga Banka Qendrore e Kosovës rreth rregullores së re, nga e njëjta nuk kanë pranuar të përgjigjen gjatë ditës.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë të enjten se konvertimi i dinarit dhe valutave tjera në euro nuk do të shkaktojë krizë humanitare e as t’i privojë qytetarët nga shpenzimi i të ardhurave të tyre.