Tani e disa ditë, ndriçimi publik në një pjesë të bulevardit ‘Ilinden’ në Tetovë nuk punon, kështu duke lënë një pjesë të rrugës kryesore të qytetit në errësirë. Këshilltarët komunal nga AKI- alarmojnë, ndërsa Komuna e Tetovës hesht, shkruan Portalb.mk.
Pjesa në të cilën tani e disa ditë nuk punon ndriçimi publik ndodhet në drejtim të rreth-rrotullimit te ‘Mema’.
Këshilltari komunal nga AKI, Berat Murati thotë se mosfunksionimi i ndriçimit publik rrit rrezikun në trafik.
“Kjo e rrit rrezikun për aksidente dhe ndjenjën e pasigurisë. Komuna duhet të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar ndriçimin, duke përdorur teknologji energji-efficient dhe duke planifikuar mirë vendosjen e llambave. Qytetarët meritojnë rrugë të ndriçuara dhe të sigurta, dhe kjo është përgjegjësia e udhëheqës lokalë”, tha Murati.
Nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën se pse nuk punon ndriçimi në këtë rrugë dhe pse nuk e rregullojnë.
