Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se do të krijonte një panel të pavarur që do të hetonte mënyrën se si ajo e ka menaxhuar pandeminë e Covid-19 dhe reagimin e qeverive.
Lajmi pason kritikat e forta nga presidenti amerikan, Donald Trump, që e akuzon OBSH se ka qenë e orientuar drejt kinës dhe njoftimit zyrtar të SHBA të martën se do të tërhiqej nga agjencia e kombeve të bashkuara brenda një viti. Ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Klark dhe ish-presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, kanë rënë dakord të kryesojnë panelin dhe të zgjedhin anëtarët e tij.
Në maj, vendet anëtare të OBSH-së miratuan unanimisht një rezolutë të prezantuar nga BE që kërkonte një vlerësim të reagimit global ndaj pandemisë. Më shumë se 12 milionë njerëz janë infektuar dhe afro 550 mijë vetë kanë humbur jetën.
Njoftimi për krijimin e panelit të pavarur vjen ndërsa shefi i OBSH-së flet për një panoramë të zymtë të trajektores së pandemisë, që sipas tij po përshkallëzohet.
“Ne e dimë se kur vendet reagojnë me vendosmëri, bazuar në mazat themelore të shëndetit publik, Covid-19 mund të vihet nën kontroll. Por, në pjesën më të madhe të botës virusi nuk është nën kontroll. Situata po rëndohet më shumë. 544 mijë jetë njerëzish janë humbur. Pandemia vazhdon të përshpejtohet. Numri total i rasteve është dyfishuar në gjashtë javët e fundit”, tha ai./TopChannel