Pas deklaratave luftënxitëse që kanë ardhur tashmë disa ditë radhazi nga partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, nënkryetari i kësaj partie i njohur për fjalorin e tij përçarës dhe diskriminues, Aleksandar Nikollovski si i ftuar në Radio Lider ka deklaruar se VMRO-DPME-së i duhen me patjetër mbi 61 deputetë, për të eleminuar sipas tij totalisht faktorin shqiptar në politikbërje.
“VMRO-DPMNE duhet të arrijë më shumë se 61 deputetë për t’u pastruar nga struktura që kanë mbijetuar politikisht dhe të gjithë ata që kanë bërë gabime në vitet e kaluara të përfundojnë aty ku e kanë vendin – në gjykatë” tha Nikollovski.
Kjo deklaratë e tij vjen menjëherë pasi ditë më parë nga foltorja e parlamentit deklaroi se hyrja e të gjitha partive shqiptare në Qeveri, do të shkatërrojë themelet e funksionimit të shtetit të Maqedonisë, që sipas tij, bazohet nën modelin – dy parti politike në pushtet, dy në opozitë.
“Në Maqedoni jo rastësisht ekzistojnë parti të maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, turqve, vllahëve, romëve. Shikoni rreth vetes dhe do të shihni kë e keni në koalicion. Kjo është kështu për shkak të balancit etnik me të cilin funksionon ky shtet. Ju nëse dëshironi mund të eksperimentoni, por ato eksperimente do të na çojnë në rrënimin e Maqedonisë siç e njohim sot. Eksperimente të një gjenerate para nesh na sollën në konflikt të armatosur në vitin 2001. Kam frikë se eksperimentet që po i bëni tani, mund të na çojnë në një konflikt tjetër; dhe nëse në 2001 u ngritën shqiptarët, tani mund të ngritën maqedonasit. Mos e nënvlerësoni këtë që po ua them”, tha Nikollovski.
Kujtojmë se me fjalor luftënxitës dhe përçarës nga VMRO-DPMNE përveç Nikollovskit, dje është shprehur dhe deputeti Ilia Dimovski.
Në një shkrim në rrjetet sociale, ai shkruan se “Maqedonasit nuk vendosin për asgjë në Republikën e Maqedonisë…”, duke nxitur kështu maqedonasit në urrejtje ndaj bashkëqytetarëve të tyre shqiptar, si dhe të komuniteteve tjera.