Banorët e Tetovës vitin që po lëmë pas si vit e vlerësojnë si tejet i rëndë ndërsa si preokupim serioz kishin ngritjen e çmimeve dhe gjendjen e rëndë ekonomike. Nga i pari i Tetovës, kërkojnë më tepër investime në pjesën e infrastrukturës rrugore, më shumë vende parkimi, përkushtim për zgjidhjen e problemit me ujin e pijes dhe zgjidhjen e problemit me qentë endacak.
“Ishte një vit i rëndë në aspektin e krizave të ndryshme, kriza energjetike, kriza ekonomike, pra ishte një vit i rëndë, por shoh edhe një shpresë sepse ka filluar të punohet në qytet nga ana infrastrukturore, pra punohet në aspektin infrastrukturor. Kemi një kryetar i cili mundohet sado pak të punojë. Por ka nevoja, nevojat tona janë parkingjet që na mungojnë shumë, pastaj na mungon kultura në komunikacion ndonjëherë të jemi edhe vetëkritikë.”, tha një banor.
“Si të them, me probleme ka qenë, me çmime që ngritën e ulen që si kuptojmë edhe ne çka bëjmë. Komuna deri më tani ka pak sukses por tutje se di. Ka edhe shumë punë të bëj por si do i bëj si do i menaxhoj ai e din. Ka edhe shumë punë, uji kanalizimet, rrugët, vende pune”, theksoi një banor tjetër.
“Ka qenë vit i keq, edhe atë shumë i keq. Në gjitha sferat, gjyqësi, shëndetësi arsim e tjera. Unë jetoj në qendër, dhe mund të them që ka pastërti por rrethi jo. Për vitin e ardhshëm duam më shumë sundim të ligjit, të ketë drejtësi, njerëzit nuk na ikin vetëm se ska rroga por edhe shkaku se nuk funksionon shteti këtu”. shtoi një banor tjetër.
Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, thotë se ka në masë të madhe ka realizuar premtimet, ndërsa për vitin e ardhshëm zotohet për më shumë investime në infrastrukturë. Përkushtimi kryesor i Kasamit për vitin që vjen do të jetë trajtimi i qenve endacakë, hapja e bulevardit nga Posta tek Stadiumi i qytetit si dhe zgjidhja e problemit me ujin për pije.
“Sektori i ujërave të zeza do të jetë dhe filtër stacioni sepse do jetë ndër problemet kryesore që iu përket ujërave të zeza që ka qenë i gjithë fushës së Pollogut. Në vitin 2024 po ashtu do të nis ndërtimi i stadiumit të qytetit, do të nis hapja apo depërtimi i bulevardeve VS Bato, Bllagoja Toska dhe i Ilindenit, do të nis zhvillimi i Kodrës së Diellit në bazë të planit urbanistik me infrastrukturë, ndërtim hotelesh shtëpizash e kështu me radhë”, theksoi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës ./Alsat.mk