21.3 C
Tetovo
E enjte, 25 Shtator, 2025
BallinaOpinionNga qendrat e fuqisë te izolimi politik, analistët: Mickoski përdor retorikën e...

Nga qendrat e fuqisë te izolimi politik, analistët: Mickoski përdor retorikën e rrezikut për të fshehur dështimet e qeverisjes

Deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me “qendrat e fuqisë” që, sipas tij, nuk ia duan të mirën Maqedonisë së Veriut, njohësit e rrethanava politike në vend i komentojnë si tentim për frikësim të popullatës, me qëllim që të mbahet tensioni për “tradhtitë e mëdha” të interesave nacionale. Sipas analistëve, kjo është doktrina që përdoret për të mos u vënë re dështimet katastrofike të katër, tetë viteve të fundit në komunat që qeverisë VMRO-DPMNE, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri i RMV, Hristijan Mickoski ka deklaruar se zjarret që po ndodhin në vend janë të organizuara nga qendra të fuqisë nga brenda vendit dhe jashtë vendit. Ai thotë se për këtë ka informacione nga shërbimet.

“Dua të them se gjëra të tilla do të ndodhin dhe nuk do të ndalen, dhe dua t’u bëj thirrje qytetarëve se zjarrvënie dhe sabotim i tillë do të vazhdojë në periudhën e ardhshme, sepse ka qendra fuqie në vend, por edhe jashtë vendit, që nuk duan që kjo qeveri të ketë sukses. Ne do të luftojmë. Ata do të vazhdojnë të djegin, do të vazhdojnë të krijojnë, të shpërthejnë, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë, të luftojmë dhe në fund do të fitojmë”, tha Mickoski 

Analisti politik Eroll Rizaov në kolumnën e tij të fundit shkruan se, në vetëm 15 muaj, qendrat e brendshme të pushtetit arritën të sjellin pothuajse izolim të plotë të Maqedonisë. Ky, siç thekson Rizaov, është suksesi tyre më i madh. 

“A ka kryeministri ndonjë informacion se ç’do të ndodhë me shtetin kur për dy-tri vjet Shqipëria dhe Mali i Zi do të hyjnë në BE, ndërsa Maqedonisë do t’i heqin statusin edhe nga “dhoma e pritjes”, duke vënë kushte edhe më të rënda. Ajo që tani duket si krenari dhe dinjitet, të mos bëhen kompromiset dhe mos të ketë konsensus për anëtarësim në BE, shumë shpejt mund të shndërrohet në zhgënjim, kur pasojat e kësaj politike do të ndihen më fort nga qytetarët. Krenaria dhe dinjiteti do të shndërrohen në revoltë në Maqedoni, duke u kthyer 25 vjet pas”, ka nënvizuar Rizaov

VMRO-DPMNE dhe Mickoski, shkruan tutje ai, me qëndrimet e tyre të forta, refuzojnë të vetmin shpëtim për Maqedoninë: të bëhet një shtet i suksesshëm me reforma të realizuara, dhe kjo kërkon konsensus të të gjitha partive të rëndësishme politike.  

“Me lëshimet që u bënë në marrëveshjet me fqinjët, Maqedonia nuk humbi, dhe nuk do të humbasë, nga veçantitë e saj identitare. Por ajo që humbi është koha e çmuar, infrastruktura që nuk u ndërtua, miliarda euro që nuk u investuan dhe breza që u sakrifikuan. Nga konsensusi për marrëdhëniet me fqinjët, që lindin nga marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, mund të jemi të pakënaqur si ne po ashtu edhe fqinjët, ose të lumtur po ashtu bashkë. Është pothuajse njësoj”, theksoi Rizaov, duke shtuar se në politikë nuk ka zgjidhje të përhershme, ashtu siç nuk ka miqësi të përjetshme, ka vetëm interesa të përjetshme, si dhe Maqedonia nuk ka interesi më të madh se anëtarësimi në BE”, shkruan Rizaov.

Për kolumnisten e DW, Sonja Kramarska, paraqitja e kryeministrit duket sikur është “shpërthyer” nga municioni paraelektoral, me qëllim që të niset një aferë e re për argëtim të gjerë popullor përpara zgjedhjeve në tetor

“Disa mund të mendojnë se kjo është një lloj “përralle tipike e VMRO-së”, si ato historike kur dërgonin agjentë për hakmarrje ndaj armiqve të kauzës. Megjithatë, kur vendoset në kontekstin modern dhe thuhet nga një lider shtetëror që, sipas kohës që jetojmë, duhet të jetë modern, tingëllon ndryshe. Njësoj në mënyrë pompoze dhe njëherësh pa ide, retrograde dhe në të njëjtën kohë e pritshme. Kur kësaj i shtohet edhe informata që njoftoi kryeministri se, 20 persona brenda vendit janë tashmë nën monitorim, padyshim që meriton të jetë temë për analizë politike dhe vëzhgim. Megjithatë, shqetësuese është nëse është puna e kryeministrit të zbulojë publikisht se shërbimet e sigurisë ndjekin, përgjojnë ose përdorin masa operative ndaj personave për të cilët ekziston dyshimi se veprojnë kundër shtetit. Nga ana tjetër, duket se lobimi i tij për “motivimet” e të ashtuquajturve armiq është si të jetë kopjuar nga komunikatat partiake të VMRO-DPMNE-së, të cilat “bombardojnë” opinionin publik që nga dita e parë e ardhjes në pushtet”, shkruan Kramarska

Kush është armiku i vërtetë i Maqedonisë së Veriut? 

Bazuar në dokumente dhe qëndrime zyrtare shtetërore, Republika e Maqedonisë së Veriut është në listën e vendeve armike të Rusisë. Vendi dy herë radhazi është listuar në listën e shteteve që Rusia i konsideron armike.

“Pasi të gjitha vendet e Ballkani Perëndimor, përveç Serbisë, iu bashkuan sanksioneve të udhëhequra nga BE-ja kundër agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, Rusia vendosi Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në listën e tyre të kombeve armiqësore”, thuhet në qëndrimin e Kremlinit zyrtar.

Në vitin 2024, ajo gjithashtu i futi ato në “listën e zezë” si autorë të “ideologjive shkatërruese neoliberale” kundër “vlerave tradicionale shpirtërore-morale ruse”. 

Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments