Donald Trump u shfaq entuziast pas takimit me presidentin kinez Xi Jinping.
“Në një shkallë nga 1 në 10? Do t’i jepja 12”, deklaroi ai.Ndërsa Xi zgjodhi një ton më realist.
“Duhet të punojmë bashkë për të mirën e botës dhe të mos mbetemi të bllokuar në një rreth vicioz hakmarrjesh”, u shpreh presidenti kinez.
Takimi, që pritet të ketë ndikim global si për paqen ashtu edhe për ekonominë botërore, përfshiu një sërë çështjesh kyçe që nga tregtia dhe teknologjia, te siguria ndërkombëtare, por pa përmendur fare Tajvanin apo varësinë kineze nga energjia ruse.
Tarifat dhe fentanili
Shtetet e Bashkuara njoftuan uljen e menjëhershme të taksave doganore ndaj mallrave kineze, të vendosura më herët si ndëshkim për trafikun e fentanilit.
Që nga marsi, Uashingtoni kishte aplikuar tarifa 20% ndaj shumë produkteve kineze, por Trump tha se ato do të ulen në 10%.
Në këmbim, Xi Jinping është zotuar të “bëjë gjithçka të mundur” për të frenuar trafikun e kësaj droge vdekjeprurëse, e cili ka shkaktuar mijëra viktima në SHBA.
Tregtia bujqësore
Trump bëri të ditur se Kina do të rinisë menjëherë blerjet e sojës dhe produkteve të tjera bujqësore amerikane.
Pas përplasjes për tarifat, Pekini kishte orientuar importet drejt Brazilit dhe Argjentinës.
Kthimi i Kinës në tregun amerikan është veçanërisht i rëndësishëm për Trump, për shkak të mbështetjes së fortë që gëzon nga fermerët.
Çështja TikTok
Ministria kineze e Tregtisë deklaroi se po punon me SHBA-të për të “zgjidhur në mënyrë të përshtatshme” çështjen e TikTok-ut.
Administrata Trump kërkon që operacionet amerikane të platformës të kalojnë nën kontrollin e investitorëve amerikanë, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare.
Mineralet e rralla
Dy vendet ranë dakord për një marrëveshje vjetore mbi furnizimin me minerale të rralla, elementë kritikë për industrinë e teknologjisë dhe energjisë.
Pekini do të pezullojë për një vit kufizimet e vendosura në tetor. Trump e quajti këtë “një marrëveshje që i shërben gjithë botës”, ndërsa Xi u shpreh se është arritur “një konsensus mbi zgjidhjet e problemeve”.
Ukraina
Sipas Trump, “Ukraina ishte një nga temat më të gjata të diskutimit” dhe të dyja palët do të “punojnë së bashku për të parë nëse mund të arrihet diçka pozitive”.
Megjithatë, asnjëra palë nuk përmendi varësinë e Kinës nga nafta dhe gazi rus me çmime të ulëta, një çështje e ndjeshme që mbetet e pandryshuar.
Tajvani
Tema më e ndjeshme e marrëdhënieve dypalëshe, ajo e Tajvanit, nuk u prek publikisht.
“Nuk u diskutua”, tha Trump, edhe pse mediat amerikane raportojnë se ajo mund të jetë trajtuar në bisedimet paraprake mes delegacioneve.
Transporti dhe energjia
Uashingtoni pranoi të pezullojë për një vit hetimet ndaj industrisë detare kineze, ndërsa Pekini do të ndalojë kundërmasat ndaj anijeve amerikane.
Trump njoftoi gjithashtu se Kina ka shprehur interes për të blerë energji amerikane, përfshirë naftë dhe gaz nga Alaska.
Gjysmëpërçuesit
Përballë kufizimeve të eksportit të vendosura nga SHBA-të, Pekini po përpiqet të zhvillojë industrinë e vet të çipave për inteligjencën artificiale.
Trump konfirmoi se është diskutuar edhe për këtë çështje, ndërsa CEO-ja i kompanisë amerikane Nvidia, Jensen Huang, pritet të udhëtojë në Pekin për të biseduar mbi “mundësitë e bashkëpunimit”.
Takimi mes Xi dhe Trump shënon një përpjekje për uljen e tensioneve tregtare dhe teknologjike mes dy fuqive më të mëdha botërore, por për momentin, shumë çështje kyçe mbeten të hapura.
/tvklan.al
