Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka postuar disa fotografi nga qëndrimi i tij në Hagë, ku u intervistua për katër ditë, si dhe gjatë kthimit të tij në Kosovë, ku iu organizua një pritje në pikë-kalimin kufitar me Shqipërinë në Morinë.
Presidenti Thaçi nga 13 deri më 16 korrik, Thaçi u intervistua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ne Hage
Nga Haga, Thaçi të remtën ka arritur fillimisht në Tiranë të Shqipërisë dhe prej aty ka hyrë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Morinë, ku qindra qytetarë e pritën me flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Thaçi, në profilin e tij në Facebook, ka postuar dhjetëra fotografi nga qëndrimi i tij në Hagë dhe kthimi i tij në Kosovë, transmeton Telegrafi.
“Nga Haga në Kosovë, faleminderit nga thellësia e zemrës sime! ❤️ HTH”, ka shkruar Thaçi, duke postuar disa fotografi në Facebook.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një adresimi përmes rrjetit social Facebook, të shtunën tha se e respekton procesin për zbardhjen e së vërtetës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për rolin e tij në ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Thaçi bëri thirrje për dialog mes forcave politike në Kosovë, për debat të shëndetshëm mes qeverisë dhe opozitës si dhe theksoi nevojën për unitet në raport me dialogun me Serbinë.
Gjatë këtij adresimi, që është i pari pas kthimit nga Haga, Thaçi tha se historia e rezistencës së Kosovës “do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush”.
“Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush”, tha Thaçi, duke shtuar se nuk mund të rishkruhet historia e Kosovës.
Thaçi u ftua në Hagë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.