Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se në takimin e pritshtëm me Presidentin Donald Trump do të diskutojë mbi atë që e cilësoi si: “fitore ndaj Hamasit”, mbi luftën ndaj Iranit dhe zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet arabe. Takimi të martën në Shtëpinë e Bardhë, do të jetë vizita e parë e një udhëheqësi të huaj që kur Presidenti Trump mori detyrën.
Takimi mes udhëheqësve vjen në një kohë që negociatorët amerikanë dhe arabë fillojnë punën për ndërmjetësimin e fazës tjetër të marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetra pengjeve që mbahen nga militantët.
Organizata Hamas, e cila ka vepruar me shpejtësi për të rimarrë kontrollin mbi Gazë që prej arritjes së armëpushimit muajin e kaluar, ka thënë se nuk do të lirojë shumë nga pengjet e mbetura pa i dhënë fund luftës.
Zoti Netanyahu është nën trysni nga partnerët e vijës së ashpër në koalicionin qeverisës për të rinisur luftën pas përfundimit të fazës së parë të marrëveshjes në fillim të marsit.
Ai ka deklaruar se Izraeli vazhdon të jetë i angazhuar për fitore ndaj Hamasit dhe për kthimin e të gjithë personave që u morën peng gjatë sulmit të militantëve më 7 tetor 2023, veprim që shkaktoi luftën.
Është e paraqrtë se cili është qëndrimi i Presidentit Trump.
Zoti Trump ka qenë një përkrahës i vendosur ndaj Izraelit, por po ashtu është zotuar t’i japë fund luftës në Lindjen e Mesme dhe i ka njohur vetes meritat për ndihmën në arritjen e marrëveshjes së armëpushimit. Pas marrëveshjes, që ndërpreu luftimet, është bërë e mundur lirimi i 18 pengjeve që ishin mbajtur në Gazë për mbi 15 muaj, si edhe lirimi i qindra palestinezëve që ishin burgosur nga Izraeli. /VOA