9.4 C
Tetovo
E shtunë, 19 Prill, 2025
BallinaLajmeNesër vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës,në orën 12

Nesër vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës,në orën 12

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet nesër (e enjte) në orën 12:00. 

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të martën, duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, ashtu siç e parashohin ligjet.

“…Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik. Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit. Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në përgjigjen e Osmanit për kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari.

Dehari i ishte drejtuar Osmanit të mërkurën me një kërkesë për të sqaruar se si të veprohej më tutje pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën.

Një ditë më parë, (e martë) Kuvendi dështoi t’i verifikonte mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Opozita e deritashme tha se votoi kundër me pretekstin se kryeministri dhe ministrat, duan të marrin post të deputetit “ende pa dhënë dorëheqje”.

E zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pas përfundimit të mandatit, para certifikimit si deputetë, llogaritet të jenë efektivisht të dorëhequr. Kësisoj, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se e ka dërguar një letër të konfirmimit të dorëheqjes te kryetari i deritashëm i Kuvendit.

Pas dështimit të verifikimit të mandateve, seanca u ndërpre.

Pas verifikimit të mandateve, në rend dite seanca pati betimin e deputetëve e më pas zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që seanca konstituive nuk mund të ndërpritet më gjatë se 48 orë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments