8.4 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeNesër shkarkohen Fatmir Mexhiti e Azir Aliu, në vend të tyre Ilir...

Nesër shkarkohen Fatmir Mexhiti e Azir Aliu, në vend të tyre Ilir Demiri e Naim Bajrami

Kuvendi mori propozimin për shkarkimin e ministrave Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu dhe seanca për këtë qëllim do të mbahet nesër. Propozimi është i kryeministrit Talat Xhaferi i bazuar në nenin 94, paragrafi 2 i Kushtetutës, sipas të cilit, kryeministri mund të propozojë shkarkim të anëtarit të qeverisë. Gjithashtu, Xhaferi propozon emra të tjerë në vend të dy ministrave në largim.

“(Kryeministri) i propozon Kuvendit në seancën e parë vijuese t’i shkarkojë: Fatmir Mexhitin nga pozita e ministrit të Shëndetësisë dhe Azir Aliun nga pozita e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

“… Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut t’i zgjedhë: Ilir Demirin, për ministër që do ta drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Naim Bajramin, si ministër që do të drejtojë Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës”, njoftojnë nga Qeveria.

Propozimi i Xhaferit vjen pasi një Këshill brenda Aleancës për Shqiptarët kërkoi shkarkimin e ministrave Aliu dhe Mexhiti dhe zëvendësimin e tyre me të tjerë, akt që dy ministrat e quajtën hakmarrje politike për shkak të mbështetjes që ata i japin kreut të partisë Arben Taravari në këtë periudhë.

Kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, tha se deputetët e tij do të votojnë në përputhje me propozimin e qeverisë.
“Grupi parlamentar i LSDM-së do të votojë në përputhje me propozimin që do të vijë nga ana e qeverisë dhe sigurisht edhe në përputhje me qëndrimin që do ta kenë edhe deputetët e Aleancës”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Kjo deklaratë e Kovaçevskit nuk është në përputhje me pretendimin e tij, kur thotë se është në komunikim me kreun e ASH-së Arben Taravari, ndërkohë që shkarkimi i ministrave nuk është propozim i Taravarit.

“Unë deri tani me Taravarin kam komunikuar, sepse me Taravarin kemi komunikuar edhe kur u bë qeveria të cilën e drejtoja unë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Ministri Fatmir Mexhiti deklaroi sot se do të marrë pjesë në seancën për shkarkimin e tij dhe do t’u drejtohet deputetëve.

“A do të jem dhe deri kur do të jem ministër nuk e vendos unë. Ka Kuvend dhe deputetët e nderuar do të vendosin kush dhe deri kur do të jetë ministër. Ne kur të ftohemi, sipas ligjit, si ministra që jemi akoma në funksion, kemi të drejtë t’u drejtohemi deputetëve dhe normal do t’i pyesim, ashtu siç i kemi pyetur edhe joformalisht dhe e di se mendimi individual i pothuajse të gjithë deputetëve se unë si ministër i Shëndetësisë dhe ministri Aliu vërtetë kemi qenë të suksesshëm në punën tonë”, u shpreh Fatmit Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Shkarkimi i Mexhitit dhe Aliut vjen vetëm pak ditë pasi ata shprehën mbështetjen e tyre për kreun e Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari i cili publikoi idenë e bashkëpunimit me opozitën shqiptare në zgjedhje. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments