Në vend se me flamur të Sllovenisë, ministri i Jashtëm Bujar Osmani, dje priti ministren e jashtme të Sllovenisë Tanja Fajon me flamurin e Sllovakisë, i cili qëndronte mbi tavolinë gjatë takimit që kishin në katër sy në Ministrinë e Jashtme
Ministria e Jashtme këtë gabim e ka konsideruar si lëshim pa dashje dhe ka kërkuar falje.
“Edhe pse nuk mund të ketë asnjë justifikim për lëshimin, ministri me mirëkuptim e pranoi gabimin si të paqëllimshëm, pa asnjë ndikim në suksesin e takimeve dhe vizitës”, thanë nga MPJ.
Që të mos ndodh kjo më në të ardhmen nga atje njoftuan se do të forcojnë kontrollet e protokollit.
Në konferencën e përbashkët për media të Fajonit dhe Osmanit në prapavijë ishte flamuri i Sllovenisë, ai i duhuri.

Dje, Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon, qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut ku realizoi takim me presidentin e vendit, kryetarin e kuvendit, ministrin e Jashtëm si dhe zëvendëskryeministrin përgjegjës për çështje ekonomike. Fajon theksoi se mbështet Maqedoninë e Veriut që deri në vitin 2030 të bëhet anëtare e BE-së.