Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të marrin pjesë tw enjten në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku në rend dite është bartja e mjeteve vetanake të kryeqytetit dhe buxheti i Komunës për vitin 2026. Gëzim Sveçla nga kjo parti tha se do të votojnë për bartjen e mjeteve. Në konferencë për media, ai fajësoi kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama për zhvillimet në kryeqytet.
Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë të martën pasdite ka mbajtur konferencë për media, ku Sveçla tha se “ky nuk ka qenë gabim i Përparim Ramës, por qëllim që të krijojë kauza.
“Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të enjten do të jenë prezent në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës për ta votuar bartjen e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025, këto mjete për të cilat Përparim Rama e traumatizojë një Kosovë, e të cilat nuk i kërkoi aty ku është vendi në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Kjo nuk ka qenë gabim i Përparim Ramës, ky ka qenë qëllim i tij që të krijojë kauza, sepse kur dështon në menaxhim dhe kur nuk ke për çka i akuzon kundërshtarët, atëherë pa mëdyshje se duhet ndërtimi i një kauze, kauzën të cilën siç e thash e rrënoi vet me veprimet e djeshme”, deklaroi Sveçla.
Në konferencë për media, Sveçla tha se kërkojnë nga Përparim Rama që të ndërpres, siç u shpreh ai, keqmenaxhimin financiar në ndërmarrje.
“Zhvillimet në kryeqytet janë të jashtëzakonshme. Është dita e dytë që qytetarët e Prishtinës janë të privuar nga shërbimet e trafikut urban dhe gjithë kjo si rezultat i politikës dhe qasjes së Përparim Ramës, Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun. Sot kishim një deklaratë të zotëri Rama që tha se thirrja e seancës për legjislaturën e kaluar të asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës është një mundësi opsionale për t’i inkasuar të hyrat vetanake dhe për të cilat ai tashmë e sa kohë ka ngritur kauzë të vetën dhe të partisë së vet. Duhet potencuar këtu qartë se pse kjo nuk është opsion por rruga e vetme ligjore. Tani më vet ftesa për këtë seancë e dëshmon pranimin e fajësisë nga zotëri Rama, i cili ka traumatizuar qytetarët e Prishtinës dhe jo vetëm me kërkesat e tij të pa drejta dhe ligjërisht të paqëndrueshme për bartje të mjeteve vetanake kur këtë gjë nuk e ka kaluar në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, deklaroi ai.
Skena teatrale i ka quajtur Sveçla paraqitjet e kryetarit të Prishtinës, teksa u shpreh se “punëtorët e Trafikut Urban e kanë kuptuar se adresa e dështimit është para zyrës së kryetarit”.
“Ai [Përparim Rama] ka filluar të bëjë shfaqje teatrale, siç ishin ato sot që i pamë në mesin e protestuesve, në mesin e punëtorëve të Trafikut Urban, ku në stilin e një banditesku bërtiste ‘qiti paret, qiti paret’, sepse tashmë ai e ka kuptuar që edhe punëtorët e Trafikut e Urban e kanë kuptuar se ku është adresa e dështimit të ndërmarrjes së tyre, ku është adresa e vonesës së pagave të tyre dhe për këtë arsye janë mbledhur sot aty ku është vendi te Komuna e Prishtinës, para zyrës së kryetarit Përparim Rama. Duhet thënë se këto skena teatrale të Përparim Ramës janë shfaqje të tij, sepse me bindje të plotë e them që zotëri Rama nuk ka kurrfarë empatie ndaj punëtorëve dhe ndaj qytetarëve të Prishtinës”, shtoi ai në konferencë për media.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla tha se deklarata e presidentes Vjosa Osmani e ka demaskuar kauzën e rrejshme të Përparim Ramës dhe Lumir Abdixhikut për bllokadë të buxhetit të Prishtinës.
“Edhe deklarata e pastajme, sot që është bërë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është krejt e kot, është e pavërtetë dhe e pasaktë sepse është dëshmuar nga praktika edhe nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që kredibiliteti i Lumir Abdixhikut është në nivelin zero, kjo për faktin se si asamblist i LVV-së kemi kërkuar nga Krypometri i cili është Instituti i vetëm që bën vërtetësinë e deklaratave, të vërtetojë një deklaratë të zotëri Lumir Abdixhiku që kishte thënë se asamblistët e LVV-së kanë qenë kundër mësimit tërëditor, dhe pas gjithave hulumtimeve që janë bërë, është konstatuar se deklarata e Abdixhikut ka qenë e rrejshme, njësoj siç ka qenë edhe demantimi ose tentimi për të demantuar atë deklaratë të presidentes së vendit”, ka shtuar ai.
Është dita e dytë që punëtorët e Trafikut Urban dhe transportit publiko-privat po protestojnë duke kërkuar borxhin që ka komuna ndaj tyre. Sot ata bllokuan rrugët e kryeqytetit me autobusë duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme.
Ata kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë derisa mjetet financiare t’u transferohen Trafikut Urban.
