Nën moton “S’ka paqe pa çlirim”, të shtunën më 18 tetor në Shkup, u mbajt një marsh protestues në solidaritet me popullin palestinez dhe kundër vazhdimit të okupimit dhe gjenocidit në Gazë. Marsh, i organizuar nga iniciativa “Të gjithë për Palestinën” filloi para monumentit “Simfonia e Paqes” (përballë gjimnazit “Josip Broz Tito”) dhe vazhdoi deri te ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Organizatorët e kësaj iniciative theksuan se kjo protestë është e përqendruar në nevojën për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, të bazuar në liri, drejtësi dhe përgjegjësi — dhe jo në një armëpushim sipërfaqësor që legjitimon okupatorin dhe i mohon të drejtat e popullit palestinez. Ata kujtuan se ndërprerja e zjarrit nuk e anulon përgjegjësinë për krimet e luftës të kryera dhe nuk e fshin gjenocidin që ka ndodhur në Gazë.
“Gjenocidi nuk përfundon me një nënshkrim në letër. Marrëveshjet e paqes nuk mund të jenë justifikim për mosndëshkim. Qeveritë, përfshirë edhe atë të Maqedonisë, kanë detyrimin ligjor dhe moral ta njohin gjenocidin dhe të veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Palestina është nën okupim tani më 77 vjet. Palestinezët janë viktima të dëbimit të detyruar dhe të pastrimit etnik për 77 vjet, ndërsa dy vitet e fundit janë viktima të gjenocidit më monstruoz në historinë e re të njerëzimit,” deklaruan nga iniciativa.
Organizatorët theksuan se një armëpushim i përkohshëm nuk do të thotë fund i vuajtjeve, por shpesh krijon kushte për vazhdimin e dhunës sistematike, të okupimit dhe të shfrytëzimit të tokës dhe burimeve palestineze.
Ata po ashtu kërkuan që:
- Qeveria të dënojë gjenocidin në Gaza dhe të veprojë në përputhje me Konventën për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit;
- Të votojë për solidaritet me popullin palestinez në të gjitha votimet e ardhshme në Kombet e Bashkuara;
- Ta njohë përsëri shtetin e Palestinës;
- Të ndërpresë menjëherë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike, kulturore dhe sportive me Izraelin;
- Të përfshihet në dërgimin e ndihmës humanitare për Gazën;
- Të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për ndërprerjen e gjenocidit dhe hyrjen e ndihmës në Palestinë;
- Të arrestojë çdo person të ndjekur për krime lufte që do të paraqitet në territorin e Maqedonisë, në përputhje me detyrimet si anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Marshi përfundoi para ndërtesës së Qeverisë me thirrje për njohjen e Palestinës dhe për veprime konkrete politike në drejtim të drejtësisë dhe përgjegjësisë.