7.2 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeNë RMV u shënua Dita Ndërkombëtare për dhënien fund të mosndëshkimit për...

Në RMV u shënua Dita Ndërkombëtare për dhënien fund të mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve: Dhunuesit duhet të përgjigjen

Sulmet serioze ndaj gazetarëve, zgjidhja e rasteve të pazgjidhura të sulmeve ndaj punonjësve të mediave, mbrojtja e interesit publik përmes lirisë së shprehjes, transparenca e institucioneve përkatëse dhe bashkëpunimi mes shoqatave të gazetarëve me MPB dhe Prokurorinë Publike, si dhe mbrojtja e gazetarëve, ishin disa nga temat e diskutuara gjatë konferencës për shtyp që sot organizoi Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve.

Në ngjarje, përveç presidentit të SHGM-së, Mladen Çadikovski, ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, prokurori publik Ljupço Kocevski dhe kryetari i SGPM-së, Pavle Belovski. Në fjalimin e tij, Çadikovski theksoi statistikat mbi sulmet ndaj gazetarëve, me theks në dy rastet e fundit, rreziqet nga paditë SLAPP dhe rastet e pazgjidhura nga 27 prilli.

“Siguria e punonjësve të mediave dhe lufta kundër mosndëshkimit për krimet ndaj tyre është e lidhur drejtpërdrejt me vlerat demokratike të një shoqërie. Kërkojmë zgjidhje të menjëhershme të të gjitha rasteve të hapura ku gazetarët janë objekt i dhunës. Dhuna verbale dhe ngacmimet përmes platformave online kërkojnë një përgjigje serioze nga MPB dhe Prokuroria. Qytetarët kërkojnë nga ne që t’u shërbejmë me ndershmëri. Të mos dorëzohemi përballë dhunuesve, të mos bëhemi bashkëpunëtorë me partitë politike, të informojmë për abuzimet e fuqive të biznesit. Prandaj, na duhet mbështetje e plotë, procedura transparente dhe të drejta, për të siguruar një hapësirë mediatike të lirë nga frika dhe kërcënimet”, tha Çadikovski. 

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski theksoi rëndësinë e gazetarëve si roje të demokracisë, duke theksuar faktin se, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një kërcënim fizik apo verbal ndaj gazetarëve, ka një qasje serioze nga MPB dhe organet e tjera hetimore në trajtimin e këtyre rasteve.

“Gazetarët duhet të jenë roje të demokracisë dhe rëndësia e tyre në një shoqëri demokratike nuk duhet të jetë në dyshim për askënd, sepse kur kemi një shkallë të lartë të lirisë së shprehjes, kur kemi gazetari hulumtuese, kur kemi gazetarë të sigurt dhe të mbrojtur, kur ndalojmë censurën në një shoqëri, atëherë mund të shpresojmë se do të ngjitemi në shkallët që na çojnë drejt një shoqërie normale demokratike. Çdo lloj kërcënimi, fizik apo verbal, veçanërisht kur drejtohet ndaj gazetarëve, duhet të ketë një trajtim serioz nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga organet e tjera hetimore në Maqedoni”, tha Toshkovski. 

Prokurori i përgjithshëm Ljupço Kocevski i drejtoi një mesazh të drejtpërdrejtë koleges Miroslava Simonovska, rasti më i fundit i regjistruar nga SHGM-ja për një kërcënim ndaj një gazetari, duke deklaruar se Prokuroria Publike po punon aktivisht për të zgjidhur çështjen.

“Duke marrë parasysh ngjarjet e ditëve të fundit, ndjej detyrimin që në vend të angazhimeve deklarative për përmirësimin e mbrojtjes së lirisë së shprehjes, të filloj me një adresim personal me të cilin do të tregoj në vepër qëndrimin e institucionit që drejtoj për këtë çështje. Prokuroria Themelore Publike po vepron intensivisht për kërkesën penale tëndën. Siguroj që prokuroria po bën gjithçka për të sqaruar çështjen. E di që çështja po merr peshë për shkak të përfshirjes së një prokurori publik, por Prokuroria Publike ka mekanizmat që do të sigurojnë trajtim të pavarur dhe objektiv për çështjen tënde”, tha Kocevski.

Kryetari i Sindikatës së Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM) gjithashtu foli dhe shprehu shqetësimin për numrin në rritje të sulmeve dhe nevojën për më shumë bashkëpunim me institucionet.

“Janë shqetësuese sulmet verbale, fyerjet, nënvlerësimet, veçanërisht në rrjetet sociale, të cilat nuk janë aspak të padëmshme dhe nuk duhen trajtuar si të tilla. Plot 45 për qind e gazetarëve kanë përjetuar nënvlerësime ose diskreditim, ndërsa 25 për qind kanë përjetuar kërcënime ose frikësime të një lloji. Gjithashtu, është interesante që, në pyetjen nëse pas sulmit kanë marrë ndihmë nga institucionet shtetërore, vetëm 14 për qind janë përgjigjur pozitivisht. Ky fakt na tregon se ka ende shumë vend për punë dhe bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të gazetarëve, për të përmirësuar komunikimin, reagimet dhe adresimin e sulmeve ndaj gazetarëve”, theksoi Belovski. 

Gazetarja Maja Jovanovska kujtoi rëndësinë e kësaj dite duke theksuar numrin e krimeve të regjistruara ndaj gazetarëve në Maqedoni dhe në botë.

“Qëllimi i kësaj dite është të tërheqim vëmendjen ndaj përqindjes së lartë të mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, e cila mbetet një sfidë globale. Nga viti 2006 deri në vitin 2024 janë vrarë mbi 1.700 gazetarë dhe punonjës të mediave në të gjithë botën, ku në afro 90 për qind të rasteve ka munguar drejtësia, ose çështjet nuk janë zbardhur ose nuk ka epilog gjyqësor. Që nga fillimi i konfliktit në Gaza në tetor të vitit të kaluar, kanë humbur jetën 146 punonjës të mediave. Në Maqedoninë e Veriut, si dhe në shumë vende të tjera, kjo ditë është një mundësi për të alarmuar se mosndëshkimi i dhunës prodhon sulme të reja dhe inkurajon dhunuesit, ndërsa te gazetarët dhe punonjësit e mediave shkakton frikë nga kërcënimet, censura dhe autocensura”, tha Jovanovska.

Dita Ndërkombëtare për Ndërprerjen e Mosndëshkimit për Krimet ndaj Gazetarëve, 2 nëntori, është njohur nga Kombet e Bashkuara. Kjo ditë shënohet për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjes së mosndëshkimit, që lidhet me moszbatimin e drejtësisë ndaj autorëve të krimeve kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments