Koalicioni VLEN po hyn në fazën finale të transformimit në një subjekt të vetëm politik, me kuvendin themelues që pritet të mbahet në muajin maj. Sipas burimeve brenda koalicionit, në këtë proces priten edhe lëvizje konkrete në përbërjen e Qeverisë gjatë rindërtimit që është paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, shkruan PressOnline.al
Në takimin e fundit të liderëve të VLEN-it – Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali dhe Azir Aliu – është arritur marrëveshje që partia e re të funksionojë me model bashkëkryesie, me dy kryetarë, dy nënkryetarë dhe një sekretar të përgjithshëm. Sipas këtij koncepti, Mexhiti dhe Kasami pritet të jenë në krye të subjektit, ndërsa Bekim Sali të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm.
Megjithatë, ende nuk ka konsensus për ndarjen përqindore të pushtetit brenda strukturave të reja partiake. Propozimi aktual parasheh që Lëvizja Demokratike dhe BESA të kenë nga 35 për qind të ndikimit, ndërsa Alternativa, fraksioni i Aleancës për Shqiptarët dhe deputeti i pavarur Bekim Qoku të ndajnë pjesën e mbetur. Kjo formulë kundërshtohet nga Alternativa dhe ASH, të cilat kërkojnë përfaqësim të barabartë.
Transformimi i VLEN në parti pritet të reflektohet edhe në Qeveri. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, mund të largohet nga posti, pas përplasjeve me liderin e BESËS, Bilall Kasami. Nga ana tjetër, pozita e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai, për momentin nuk konsiderohet e rrezikuar.
Brenda vetë koalicionit tashmë janë shfaqur përçarje. Në Aleancën për Shqiptarët ka ndarje mes krahut të Arben Fetait, i cili tashmë ka promovuar “Aleancën e Re”, dhe grupit të Azir Aliut që mbështet fuqishëm transformimin e VLEN-it në parti të përbashkët. Tensione ka edhe në BESA, ku raportet mes Kasamit dhe Limanit janë përkeqësuar ndjeshëm.
Ndërkohë,mësohet se asnjëra nga partitë përbërëse të koalicionit VLEN – Lëvizja BESA, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa – nuk do të çregjistrohen nga regjistri i partive politike në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht themelimit të subjektit të ri të përbashkët.
Sipas burimit tonë, këto parti do të vazhdojnë të ekzistojnë si subjekte të veçanta juridike, me qëllim që të mos humbasin të drejtat dhe mundësitë ligjore që burojnë nga pjesëmarrja në zgjedhjet e mëparshme. Opsioni për çregjistrimin e tyre është shtyrë për një afat të pacaktuar.
Pas kuvendit themelues, pritet të mbahet edhe kongresi i parë i partisë së re VLEN, ku do të formalizohen strukturat, programi politik dhe prioritetet strategjike të subjektit të ri në skenën politike në vend.
