Pas uljes së nëntorit të shportës minimale sindikale, në dhjetor ka sërish rritje të shumës që nevojitet për të mbijetuar një familje katër anëtarëshe në Maqedoni. Shporta për këtë muaj është 65.492 denarë dhe është 319 denarë më e lartë krahasuar me muajin e kaluar.Sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, një familje shpenzon më së shumti për t’u ushqyer dhe kjo arrin në 23.648 denarë, që është shumë afër shumës së pagës minimale në vend, e cila nga prilli i vitit 2025 është 24.400 denarë. Ushqimi përfaqëson 36,1 për qind të të gjitha shpenzimeve të nevojshme për të siguruar minimumin e jetesës për një familje. Nga LSM thonë se kjo tregon nevojën për rritjen e pagës minimale, por se Qeveria as që mendon të bisedojë për këtë, gjë që mund të shihet edhe nga rendi i ditës i takimit të paralajmëruar për të hënën të Këshillit Ekonomiko-Social, ku do të diskutohet për Planin Operativ për vitin 2026, për avancimin e politikave dhe masave për arritjen e balancës ndërmjet punës dhe jetës private, përmes politikave familjare të përgjegjshme gjinore, si dhe pika “të ndryshme”. Nga Sindikata thonë se në pikën “të ndryshme” do ta hapin temën për pagën minimale.
