Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës ka privuar nga liria tre të mitur, të cilët dyshohen se gjatë ditës së djeshme, në numrin e telefonit 112, kanë denoncuar se në një shkollë fillore në Tetovë, ka të vendosur bombë, përcjell TV21. Pas alarmimit, pjesëtarë të Sektorit të Punëve të Brendshme kanë gjurmuar sinjalin nga ku është paraqitur telefonata e cila ka rezultuar nga sheshi i fshatit Gurgunicë të komunës së Brvenicës, ndërsa më vonë, janë lokalizuar edhe tre personat që kanë kryer aktin. Ata, me praninë e prindërve, janë marrë në pyetje nga policia dhe e kanë pranuar fajin. Ndaj tyre do të ngritet parashtresë adekuate që do të dorëzohet në Prokurori.
“Shfrytëzoj rastin të apeloj qytetarët e sidomos prindërit që kanë fëmijë të mitur që t’ua kontrollojnë mjetet digjitale dhe të mbikëqyrin lëvizjet e tyre sepse duke u zbavitur në këtë mënyrë fëmijët krijojnë huti panik dhe frikë apo dëm tek popullata. Po ashtu në të ardhmen do ketë masa edhe më rigoroze, sepse nuk është lojë, por kemi të bëjmë me vepra penale të dënueshme me ligj dhe për të njëjtat mund të dënohet edhe me burg”, tha Fatmir Rexhepi – Zëdhënës i SPB-Tetovë.
