NATO-ja u është bashkëngjitur reagimeve të SHBA-së, BE-së e Britanisë së Madhe pas aksionit policor për mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri.
Zëdhënësja e Aleancës Veri-Atlantike Farah Dakhlallah në një postim në rrjetin social X, ka thënë se aksioni i djeshëm nuk ishte në koordinim me KFOR-in dhe NATO-n.
“Shumë të zhgënjyer nga veprimet e djeshme në veri të Kosovës, të cilat nuk ishin të koordinuara me NATO, KFOR-in, pavarësisht premtimeve të përsëritura për ta bërë këtë. KFOR-i është plotësisht i përgatitur për të mbështetur mandatin e tij për të gjitha komunitetet në Kosovë. Duhet de-përshkallëzimi dhe angazhimi i plotë në dialogun e BE-së”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani në forumin global të sigurisë “GLOBSEC 2024” në Pragë, ka thënë se dialogu ka ngecur pasi shtetet nuk po trajtohen në mënyrë të barabartë dhe se Serbia nuk po i përmbushë zotimet e saja teksa sa Kosova ka përmbushur detyrimet e veta.
“Kur nuk ke barazi qysh në themel të çfarëdo procesi negociues, askush nuk duhet të ëndërrojë për rezultate të prekshme që edhe mund të zbatohen në terren”, ka thënë Osmani.
Dje pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.
Me këtë rast janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Këto pesë i bashkohen shtatë komunave të tjera paralele që u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec e Dragash.