NATO ka njoftuar se më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania kanë arritur në Kosovë për të përforcuar më tej misionin paqeruajtës të Forcave të KFOR-it.
Ndërkohë, në fillim të muajit në Kosovë u dislokuan 200 trupa të tjera britanike.
NATO njofton se vendosja e këtyre trupave shtesë vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon.
“Këto dislokime janë një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ato bazohen në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s për Evropë dhe u miratuan nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Që nga viti 1999, NATO ka drejtuar operacionin paqeruajtës në Kosovë në përputhje me mandatin që i është dhënë nga rezoluta 1244 e këshillit të sigurimit të OKB-së.
Aktualisht KFOR përbëhet nga mbi 4500 trupa të 27 vendeve anëtare dhe partnerëve të Aleancës.
/rtsh.al/